Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, pro thirrjes që Lista Serbe të shpallet organizatë terroriste.
Kjo pasi, sipas Musliut, nënkryetar i kësaj partie është kryeterroristi i sulmit terrorist ndaj policëve në veri, Millan Radojiçiq. Arsyeja e dytë, thotë ajo, është fakti që Lista Serbe ka shpallur tri ditë zie për vdekjen e terroristëve në Banjskë.
“Përderisa Radojiçiqi është nënkryetar i Listës Serbe, dhe ka qenë pjesë e sulmit terrorist ndaj Kosovës, Lista Serbe shpall tri ditë zie, automatikisht konsideroj që nuk duhet humbur kohë, dhe Listën Serbe duhet ta shpallim organizatë terroriste”, ka deklaruar ajo.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, të martën publikoi video ku Radojiçiq shihet se ka qenë kryesues i sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Kujtojmë se Radojiçiqi është edhe në Listë të Zezë të ShBA-ve dhe të Mbretërisë së Bashkuar.
“Kryekrimineli Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve”, tha Sveçla.