Analisti politik, Rexhep Elezaj, duke komentuar sulmin terrorist në veri të Kosovës, thotë se të gjitha ato përgatitje dhe armatim, flasin qartë se ky grup i kishte të gjitha tiparet e një grupi terrorist ndërkombëtar, siç ka qenë; Isis, Al-Qaida, Wagner.
Sipas tij, në Serbi dihet botërisht, se krimi i organizuar dhe aktiviteti i grupeve kriminale është dhe bëhet nën mbikëqyrjen e shtetit.
Derisa thekson se, kur është në pyetje Kosova, të gjitha grupet kriminale të Serbisë bëhen bashkë, me qëllim destabilizimin e vendit.
Rexhep Elezaj
“Sulmi i grupit terrorist serb ndaj policisë së Kosovës në ora 03:30 të mëngjesit të dielën, pra me 24.09.2023, armatimi i madh që u zbulua dhe u konfiskua, si dhe dhjetëra makina të shtrenjta me pajisje të llojllojshme ushtarake dhe logjistike, pastaj koha dhe vendi që kishin zgjedhur për sulm ndaj policisë tonë, flasin qartë se gjitha këto përgatitje të orkestruara mirë në disa qendra ushtarake në Rashkë dhe Kopaonik, se ky grup kriminal i kishte të gjitha tiparet e një grupi terrorist ndërkombëtar, siç ka qenë; Isis, Al-Qaida, Wagner, etj. Kjo për faktin, sepse në Serbi dihet botërisht, se krimi i organizuar dhe aktiviteti i grupeve kriminale është dhe bëhet nën mbikëqyrjen e shtetit, siç janë aferat korruptive, veprimet e grupeve të simpatizantëve të “flaktë” të futbollit të cilat janë të ngarkuara për frikësim dhe nxitje të dhunës kudo që marrin pjesë, siç ishte rasti në ndeshjen e futbollit mes Kosovës dhe Rumanisë, në të cilën këto grupe simpatizantësh shpalosën pankartën me shkrimin; “Kosova është Serbi”, etj., mbase të gjitha këto grupe kriminale janë të lidhura ngushtë me grupin kriminal të Velko Belivukut, me dy biznesmenët (kriminelët) nga Kosova, Zvonko Veselinoviçin dhe Milan Radojçoqin, po ashtu me kriminalin serb Milorad Ulemek Legijan, me Luba Zemuncin, si dhe shumë të tjerë, të cilët kur është Kosova në pyetje, që të gjithë bëhen një dhe bashkëpunojnë me njëri tjetrin, me qëllim që sa më shumë ta destabilizojnë Kosovën përmes akteve kriminale në veri, siç ishte edhe sulmi terrorist ndaj policisë së Kosovës”, deklaron ai.
Derisa flet për grupet terroriste serbe, ai thekson se e gjithë kjo ngjarje ka qenë skenari kriminal i Serbisë kundër Kosovës, e që siç thekson ai, ishte i koordinuar në Beograd mes Vuçiqit, Moskës zyrtare që përmes këtij grupi terrorist ta ndryshojnë gjendjen politike dhe ushtarake në veri.
“Pra, kemi të bëjmë me një grup terrorist serb të ushtruar në Serbi, i furnizuar mirë me armatim të lehtë dhe të rënd, dhe i cili në koordinim të plotë me popat çetnik në manastirin serb në Banjskë, tentuan që duke sulmuar dhe vrarë policë të Kosovës të shkaktojnë konflikt të hapur ushtarak në veri të Kosovës, me prapavijë të qartë hegjemoniste, që veriu i Kosovës të vihet nën protektorat ndërkombëtar, kjo si mënyrë që pas bisedimeve mes KFOR-it dhe Serbisë, ta shpallin autonominë për serbët në veri. Pra, mendoj se kjo ka qenë prapavija dhe skenari kriminal i Serbisë kundër Kosovës, sigurisht i koordinuar në Beograd mes A. Vuçiqit, Moskës zyrtare që përmes këtij grupi terrorist ta ndryshojnë gjendjen politike dhe ushtarake në veri, skenar ky antishqiptar, por i cili falë djemve tanë heronj, atdhetar dhe të guximshëm, pjesëtarë të Policisë tonë kreshnike, dha Zoti dhe i gjithë ky skenar kriminal bashkë të githa planet antishqiptare të Beogradit zyrtar, me qëllim që ta ndezë luftën në veri të Kosovës, kuptohet për interesa të Moskës dhe Beogradit, përveç se pësoi disfatë të turpshme para gjithë botës, madje regjimit despotik të A. Vuçiqit, i dha një goditje tepër të rënd, nga e cila (goditje) regjimi i tij do të këndellet me shumë vështirësi si dhe me pasoja të mëdha politike brenda dhe jashtë Serbisë fashiste!
Tutje ai potencon se, fitorja e Policisë së Kosovës kundër grupit terrorist serb, është njëra ndër betejat më të lavdishme të Kosovës së pavarur dhe demokratike pas luftës çlirimtare (1998/99).
“Fitorja e Policisë së Kosovës kundër këtij grupi terrorist serb, do hynë në analet e historisë së re të Kosovës, si njëra ndër betejat më të lavdishme të Kosovës së pavarur dhe demokratike pas luftës tonë çlirimtare (1998/99), kundër një regjmi kriminal dhe antishqiptar, siç është regjimi fashist i A. Vuçiqit, i cili në asnjë mënyrë nuk po pranon të heq dorë nga Kosova si dhe politika e tij hegjemoniste ndaj tokave shqiptare në Ballkan”, deklaron ai për “Bota sot”.