Drejtori i Zyrës së ashtuquajtur për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se Kosova nuk e lejoi misionin e BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, që të marrë pjesë në hetimet për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, sepse sipas tij, “ata duan të fshehin disa prova”.
Më 24 shtator, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe armatosur. Sulmi ndodhi në Banjskë të komunës së Zveçanit, në veri të Kosovës. Rreshteri Afrim Bunjaku u vra në sulm dhe disa policë të tjerë u plagosën. Autoritetet e Kosovës më pas njoftuan se gjatë shkëmbimit të zjarrit janë vrarë tre sulmues të dyshuar.
Petkoviq pretendoi se sulmuesit “u vranë nga afërsia, pasi u dorëzuan”.
“Prandaj, kërkesa jonë kryesore është që një komision i pavarur, së bashku me ekspertët thanë, të kryejnë autopsinë e trupave të serbëve të vrarë”, tha Petkoviq.
Kosova e konsideron si sulm terrorist dhe e fajëson Serbinë për të, ndërkaq Beogradi mohon se ka gisht në këtë sulm.
Më 27 shtator presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përsëriti këtë qëndrim. Ai tha se nuk e di se cili ka qenë qëllimi i grupit të armatosur që kreu sulmin në veri të Kosovës.
Zyrtarët në Kosovë kanë fajësuar nënkryetarin e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që mbështetet nga Beogradi – Millan Radoiçiq, për udhëheqjen dhe pjesëmarrjen në sulmin e 24 shtatorit.
Këto akuza, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i ka mbështetur në një video të incizuar me dron, që ka thënë se shfaq Radoiçiqin në Banjskë, të armatosur dhe të veshur me uniformë ushtarake.
Vuçiq deklaroi më 27 shtator se Radoiçiq gjendet në Serbi dhe se do të merret në pyetje.
Aktualisht, katër persona janë të arrestuar për ngjarjet në Banjskë, teksa Policia ka ekspozuar më 25 shtator armë dhe pajisje të tjera që ka thënë se janë konfiskuar në këtë fshat.
Sulmi në veri është dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Në bllokun evropian, disa shtete anëtare po kërkojnë që për këtë rast, Serbisë t’i vendosen masa ndëshkuese nëse vërtetohet se ajo është përfshirë në këtë rast.