Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Ajo ishte fantastike! Ky lajm na shkatërroi”, çfarë shkruan kryebashkiaku i Castelfiorentino për Klodiana Vefën, 35-vjeçaren shqiptare që u vra në mes të rrugës me plumb në kokë

Vrasja e 35-vjeçares shqiptare, Klodiana Vefa në Itali nuk ka tronditur jo vetëm familjarët e saj dhe komunitetin shqiptar, por edhe atë italian. Kryebashkiaku i komunës Castelfiorentino Alessio Falorni, e konsideron të papranueshëm faktin që edhe sot vijon të ushtrohet dhunë ndaj femrës e deri në marrjen e jetës së saj.

“Ajo ishte një vajzë fantastike, të cilën e njihja mirë personalisht dhe e donin të gjithë. Ky lajm na shkatërroi”, kështu shkruante sot në Facebook, kryebashkiaku i Castelfiorentino (Firence) Alessio Falorni në lidhje me vdekjen e Klodiana Vefa, 35-vjeçares shqiptare e cila u qëllua për vdekje me armë zjarri në rrugë, mbrëmjen e të enjtes.

Duke ngushëlluar familjen dhe fëmijët që Klodiana la pas, kryebashkiaku njoftoi se: “Castelfiorentino do të shpallë dy ditë zie në qytet, e flamujt do të ulen në gjysmështizë. Do të anulohen demonstratat publike si dhe do t’u kërkohet shkollave të flasin me studentët për temën e dhunës ndaj grave.”

Kjo e fundit vjen për shkak të dyshimeve se vrasja e 35-vjeçares shqiptare mund të jetë kryer nga ish-bashkëshorti i saj, i cili ëshët aktualisht në kërkim.

“Do të shpallim sot në mbrëmje, me pjesëmarrjen e shoqatave, një kortezh me qirinj në të cilin ftoj qytetarët të marrin pjesë, për një qëndrim kolektiv kundër këtij fenomeni të tmerrshëm barbar, fatkeqësisht kaq i shpeshtë edhe në kohët tona, dhe për të kujtuar Klodianën me dashurinë tonë. Ne nuk dorëzohemi para tmerrit”, shkruan Falorni.

Klodiana Vefa ishte ndarë nga bashkëshorti i saj shqiptar, me të cilin kishte dy fëmijë që tani janë 17 dhe 14 vjeç./ Corriere della Sera

***

Sipas hetimeve, një burrë po e priste viktimën në rrugë dhe më pas e ka qëlluar me plumb në kokë. Nuk dihet nëse mes autorit dhe viktimës ka pasur ndonjë debat përpara krimit. Policia italiane ka shpallur në kërkim ish-bashkëshortin e viktimës, Alfred Vefa dhe janë marrë pyetje dy fëmijët e saj, djali 17-vjeçar dhe vajza 14-vjeçe.

Njëri prej fëmijëve ka treguar se ka pasur debate të vazhdueshme mes prindërve të tyre. Megjithatë, rezulton se Klodiana Vefa s’ka bërë asnjë denoncim ndaj tij. Policia vendosi postblloqe në rrugë dhe kërkimet për gjetjen e autorit u shtrinë jo vetëm në Valdelsa, por edhe përgjatë rrugës që shkon nga Castelfiorentino në Siena dhe gjithashtu drejt Firences. Karabinierët kanë kontrolluar edhe shtëpitë e braktisura, por deri tani s’kanë arritur në gjurmët e autorit.

Klodiana Vefa punonte si kamariere në një piceri dhe ishte integruar në komunitetin e Castelfiorentino. Ajo u vra pak metra larg shtëpisë ku jetonte me fëmijët e saj.

Karabinierët gjetën në rrugë dy gëzhoja, por arma nuk u gjet, pasi vrasësi e mori me vete në momentin që u largua me makinë.