Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka reaguar edhe një herë deklaratave të Edi Ramës, sa i përket menaxhimit të situatës në veri nga ana e Policisë së Kosovës.
Kryeministri Rama ka thënë se në kuadrin e mbështetjes së Shqipërisë për garantimin e sigurisë në veriun e Kosovës dhe marrjen e kontrollit nga KFOR-i, ka komunikuar me nivelet më të larta të aleancës euro-atlantike, teksa tha se ka gjetur një gatishmëri maksimale.
Rama tha se aleatëve të Shqipërisë ua ka përcjellur edhe arsyet e moslinjëzimit me deklaratën e BE-së, duke vazhduar, sipas tij, të kërkojnë qëndrimin e tyre publik lidhur me “grupin e armatosur që vrau efektivin e policisë së Kosovës”, dhe zinë kombëtare në Beograd.
Lidhur me këtë, nga Presidenca kanë deklaruar për Indeksonline se Osmani në çdo bisedë dhe takim me partnerët dhe aleatët e ka sqaruar se mandati i KFOR-it, është vetëm si reagues i tretë dhe në mbështetje të Policisë së Kosovës si reagues i parë.
“Institucionet e Kosovës kanë kërkuar mbështetje nga NATO-ja, që patrullimet në zonën kufitare t’i përfshijnë edhe ushtarët e NATO-s, përkrah policëve të Kosovës në mënyrë që të parandalohet hyrja e grupeve terroriste dhe sulmet nga Serbia. Policia e Kosovës ka mandat të plotë në të gjithë territorin e Kosovës, ndërsa me NATO-n, ka bashkëveprim dhe koordinim të ngushtë, siç e dëshmon edhe reagimi e operacioni policor gjatë sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023” thonë nga Presidenca.
Sipas deklaratës, sqarohet edhe një herë se kjo nuk ka të bëjë me marrjen e kompetencave sovrane të institucioneve të sigurisë së Kosovës nga KFOR-i, por për mbështetjen e institucioneve të Kosovës në ndalimin e agresionit nga Serbia.