Deputeti i LDK-së, Anton Quni dhe ish- komandanti, në emisionin DPT te Fidani, ka thënë se Kosova duhet të ketë kujdes nga Serbia për shkak se ata tani mendojnë si një “bishë e plagosur”. Kjo pas përgjigjes që morën kriminelët serbë nga Policia e Kosovës dhe kritikat që ka marrë Serbia nga ndërkombëtarët.
Quni tha se Serbia nuk vepron më racionalisht, ndaj edhe autoritetet duhet të marrin masat e duhura për t’ua bërë me dije që të mos luajnë me Kosovën.
“Ne duhet me pasë një fakt parasysh, tani ata veprojnë si një bishë e plagosur. Bisha e plagosur nuk është më racionale në veprime. Do të thotë, kjo çështje duhet të ketë konsideratë, dhe asnjë gjëje nuk duhet t’i lihet rasti. Prandaj edhe autoritetet e ShBA-së, e Britanisë së Madhe, po besoj edhe autoritetet tona, do i marrin të gjitha masat e duhura që kundërshtarve tanë, fqinjve tanë t’ua bëjnë me të ditur se çfarëdo aventure nga ana e tyre do e marrë një përgjigje shumë të vendosur dhe çfarëdo veprimi i tyre brenda territorit të Kosovës do të cilësohet si agresion dhe do të marrin përgjigje nga Kosova dhe komuniteti ndërkombëtar, pra NATO-ja”.
Çuni tha se Presidenti i Serbisë Vuçiq po tenton të paraqitet si i interesuar për një zgjedhje paqësore përmes dialogut por se i njëjti po ndërmerr operacione të fshehta.
“Për të mos kompromituar për shkak të obligimeve që i kanë marrë, që kanë shpreh gatishmëri për të dialoguar me ne për një zgjedhje paqësore, ata përdorin operacione të mbuluara. Dhe vetë fakti se Vuçiqi thotë se kjo ka qenë një çështje e ngritur nga qytetarët serbë të Kosovës do të thotë që nuk është kompetencë e ndikimeve të tyre. Por, realiteti është ndryshe”, deklaroi ai.