Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Aksioni në veri mundësi e jashtëzakonshme për dialogun e njohjen nga pesë vendet e BE-së

 
   

Njohësit e rrethanave politike në vend po vlerësojnë se aksioni i Policisë me 24 shtator, i ka dhënë Kosovës një mundësi të jashtëzakonshme jo vetëm në procesin e dialogut por edhe në marrëdhëniet me jashtë, kështu duke prezantuar vendin si një shtet shumë serioz dhe që i respekton të gjitha të drejtat njerëzore.

Ata kanë shtuar se BE-ja do të duhet që menjëherë t’i largojë masat e vendosura ndaj Kosovës dhe t’i mundësojë të njëjtës njohjen nga pesë vendeve e BE-së, pasi sipas tyre, vetëm në këtë formë Kosovës dhe rajonit i garantohet një paqe dhe një rrugëtim më i sigurt në integrim euro-atlantik.

Ata kanë theksuar se nga sulmi i fundit terrorist në Banjskë, që sipas tyre është mbështetur nga Serbi, ku mbeti i vrarë edhe një pjesëtarë i PK-së, ju ka bërë të qartë faktorit ndërkombëtar se kush është destabilizuesi në rajon.

Profesori universitar, Dritëro Arifi, tha se pavarësisht ngjarjeve të fundit në veri të vendit, procesi i dialogu do të duhet që të vazhdoj.

Por sipas tij, tani Kosova do të duhet që të ketë dialog vetëm me BE-në dhe ShBA-në për mënyrën se si do të duhet që të vazhdohet tutje me marrëveshjet e arritura.

“Në fakt Polica e Kosovë i ka dhënë një shanse dhe një mundësi të jashtëzakonshme Kosovës, jo vetëm në dialog por edhe në marrëdhënie me jashtë si një shtet shumë serioz dhe i respekton të gjitha të drejtat njerëzore, fetare. Tash dialogu duhet që të vazhdoj por unë mendoj që duhet që të ketë një ndryshim të dialogut apo, më mirë të themi formati se si është udhëhequr deri tash. Kosova duhet ta ketë një dialog vetëm me BE-në dhe SHBA-në se si duhet që të procedohet tutje me ato marrëveshje, sepse Serbia nuk mund të jetë më pjesë e dialogut deri sa nuk distancohet nga terrorizmi. Sepse i bie rrjedhimisht Serbia e ka sponsorizuar terrorizmin apo grupet terroriste që i sulmuan PK-në me për fat të keq me një vrasje të policit Kosovarë”, tha ai.

Ai ka theksuar se vendi nuk mund t’i ik marrëveshjeve të arritura deri më tani por në këtë rast shteti duhet që të tregohet i zgjuar dhe që të merr nga BE-ja njohjen nga vendet që deri më tani nuk e kanë njohur Kosovën.

“Tash e tutje Kosova duhet që të jetë më aktive, më e shpejte dhe me e vendosur që me BE-në dhe ShBA-së të dakordohen për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, sepse asaj nuk mund t’i ikim, këtu nuk duhet që të tregohemi naiv po duhet të tregohemi pro aktiv dhe të zgjuar, marrëveshja do të behët por Kosova duhet që ta merr njohjen nga BE-ja, sepse BE-ja më nuk mund t’i mbyll sytë se Kosova nuk ekziston dhe nuk mund ti mbyll sytë sepse çdo injorim i Kosovës e destabilizon Ballkanin”, tha ai.

Profesori Arifi tha se pas sulmit terrorist, BE-ja është dashur menjëherë që t’i heq sanksionet që i ka vendosur Kosovës pasi vetëm kështu BE-ja mund ta fitoj kreidbilitetin e humbur.

Ai potencoi se Kosova duhet që të kërkoj njohjen nga pesë vendet e BE-së, pasi sipas tij, vetëm në këtë formë Kosovës dhe rajonit i garantohet një paqe dhe një rrugëtim më i sigurt në integrimet euro-atlantike.

“Në bazë të këtij rasti logjikisht, rrjedhimisht ish dashtë që BE-ja ti heq sanksionet apo masat për Kosovën, nuk kanë sens më masat ndaj Kosovës. Por nuk është qëllimi aty, masat duhet të hiqen sa më shpejt që BE-ja ta fitoj një krediblilitet të cunguar. Kosova duhet të kërkoj që të sanksionohet Serbia por nuk është qëllimi jonë aty primar. Ne çka duhet që të kërkojmë e çka duhet të këmbëngulim jashtëzakonisht shumë dhe vendimtare që duhet që të jetë është njohja nga pesë vendet e BE-së, vetëm në këtë formë Kosovës dhe rajonit i garantohet një paqe, një rrugëtim më i sigurt në integrimet euroatlantike dhe në të njëjtën kohë kemi defaktorizim të Serbisë. Vetëm në këtë mënyrë BE-ja mund ta fitoj një kredibilitët më të fuqishëm”, tha ai.

Njohësi i rrethanave politike, Albinot Maloku, potencoi se hyrja në procesin e dialogut, pas sulmit terrorist në veri, pa i sqaruar pozicionet e palëve të përfshira nuk do të ketë efekt.

Ai tha se situata e fundit Kosovës i ka dhënë një pozicion më të favorshëm për të sqaruar para instancave ndërkombëtare se kush është destabilizuesi i procesit të normalizimit.

“Ri-hyrja në dialog pa një sqarim të pozicioneve pas ngjarje të fundit, të palëve duke përfshirë këtu posaçërisht lehtësuesi në raport me Kosovën nuk konsideroj që dialogu nuk do ta ketë efektin dhe peshën e vetë. Gjithsesi dialogu është rruga për faktin që ky është imponim edhe e instancave më të larta edhe se BE-ja, mirëpo konsideroj që më të vërtet Kosova duhet ta ketë një pozicion më të sqaruar dhe të mbajnë një trajektore në raport me hapat që ndërlidhen me dialogun. Pra që të mos jetë siç ka qenë deri më tani ku ka pasur ndryshime befasuese në momentet të caktuara të qëndrimeve, përqasjeve ose ngjashme. Situata e fundit Kosovës i jep një pozicion më të favorshëm në kuptimin e sqarimit para instancave ndërkombëtare se kush është destruktori i procesit të normalizimit dhe kush është ai që po i shtynë mirëfilli këto raporte. Këtë rast Kosova do të duhej që të kërkonte edhe një transparencë më të larët nga lehtësuesi”, tha ai.

Maloku tha se BE-ja duke ditur se kush është destabilituesi do të duhej që t’i hiqeshin masat e vendosur ndaj Kosovës, sipas tij, Kosova duhet që ta ndjek rrugën e saj që ka qenë njohja në qendër.

“Me vetë faktin që faktori ndërkombëtar po i bëhet i ditur se kush është destruktori në këtë proces letë të kuptoj që në një situatë racionale BE-ja do të duhej që të hiqte masat dhe të vendoste masa për destruktorin. BE-ja do të duhej që ti hiqte këto masa ndërsa Kosova të vazhdojë që të ndjek atë që ka qenë rregullisht politik e saj që ka qenë njohja në qendër e cila do të kishte përmbyllur marrëveshjen. Edhe asociacioni edhe çështjet e tjera të marrëveshjeve që kanë ndodhur prej 2011 për palët janë obligative. Pavarësisht rrethanave, e incidenteve të caktuara qofshi ato edhe të kalibrit të nivelit terrorist dialogu dhe respektimi i marrëveshjeve të prodhuara nga dialogu është obligativepër palët”, tha ai.