Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar të shtunën komandantin e KFOR-it, gjeneral major Angelo Michele Ristuccia dhe shefin e EULEX-it, gjeneral major Giovanni Pietro Barbano.
Në njoftimin e KFOR-it, takimi është cilësuar i dobishëm.
“KFOR-i vazhdon ta përmbushë mandatin e tij nga OKB-ja”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Siç ka bërë të ditur Presidenca në një komunikatë për media, në takim u diskutua lidhur me zhvillimet e fundit lidhur me sigurinë në Kosovë dhe me theks të veçantë në veri dhe në vijën kufitare me Serbinë.
KFOR-i ka thënë se vazhdon ta përmbushë mandatin e tij.
Osmani ka falënderuar dy zyrtarët e lartë ndërkombëtarë dhe ka thënë se e ka mirëpritur vendimin e NATO-s për të shtuar numrin e forcave në kuadër të KFOR-it “si sinjal i qartë ndaj Serbisë që të heq dorë nga destabilizimi dhe rrezikimi i sigurisë në Kosovë”.
“Kosova mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj që sfidat aktuale të sigurisë t`i tejkalojë me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë”, ka thënë Osmani.
Më herët gjatë ditës, Osmani pati takime edhe me përfaqësues të Forcës së Sigurisë dhe të Policisë së Kosovës.