Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Fëmijët e Klodiana Vefës vendosin 37 trëndafila të bardhë në stolin e kuq në nder të nënës së tyre. Krybashkiaku italian: Nuk do t’iu lëmë vetëm!

‘Fëmijët e Klodiana Vefës nuk do t’i lëmë vetëm’, tha me emocione kryebashkiaku i Castelfiorentino, Alessio Falorni.

Mbrëmjen e 29 shtatorit, kryebashkiaku, i cili e njihte personalisht Klodiana Vefën, organizoi një marshim ku ndezën qirinj në përkujtim të 37-vjeçares shqiptare, marshim ky edhe kundër dukurisë së dhunës ndaj grave.

Bashkë me kryebashkiakun ishin edhe fëmijët e Klodianës dhe Alfredit, 17 dhe 14 vjeç, të cilët hapën homazhet, ku morën pjesë qindra njerëz, së bashku me tezen dhe dajën.

Në kortezhin me pishtarë morën pjesë kryebashkiakët e Empolese Vadelsa, të cilët pas episodit të rëndë të dhunës vendosën të merrnin pjesë në procesion për të qëndruar pranë komunitetit të Castelfiorentino.

Të pranishëm ishin shumë familjarë, shumë të rinj dhe fëmijë! Heshtjen e thyenin vetëm hapat në asfalt, nga të qarat. Qindra njerëz morën pjesë në marshimin në qendër të qytetit.

Në fund të kortezhit me pishtarë, fëmijët e Klodianës vendosën një buqetë me 37 trëndafila të bardhë në stolin e kuq, simbol i dhunës ndaj grave, në Piazza Gramsci.

Pasi mësoi se burri vrau veten me armë zjarri, Falorni tha: “Është epilogu tragjik i kësaj historie të tmerrshme. Më kujtohet mbrëmja e djeshme, për të cilën falenderoj të gjithë, institucionet dhe qytetarët e pranishëm dhe përqafimin që komuniteti i Castelfiorentino mundi t’u jepte fëmijëve dhe familjes së Klodianës”.

Nëna e dy fëmijëve, Klodiana Vefa u ekzekutua me plumb në kokë mbrëmjen e 28 shtatorit 2023 në mes të rrugës dhe policia dyshon se vrasja është kryer nga ish bashkëshorti i saj.