Përballë tensioneve të fundit në veri të Kosovës, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, NATO para pak ditësh mori vendim të rritë praninë e saj në Ballkanin Perëndimor.
Në një përgjigje për RTV Dukagjinin nga NATO kanë bërë të ditur se Këshilli i Atlantikut të Veriut ka autorizuar forca shtesë nga Mbretëria e Bashkuara, kështu duke rritur praninë e KFOR-it.
“Në përgjigje të tensioneve në maj, KFOR-i dislokoi rreth 500 trupa turke nga forca jonë operative rezervë për Ballkanin Perëndimor dhe një batalion shtesë i forcave rezervë është në gatishmërinë më të lartë. Batalioni turk është zëvendësuar me trupa nga Bullgaria dhe Greqia.
Dje, Këshilli i Atlantikut të Veriut autorizoi forca shtesë nga Mbretëria e Bashkuar, nëse është e nevojshme, për të adresuar situatën aktuale. Ne nuk komentojmë detaje specifike operacionale”, thuhet në përgjigjen tyre.
“Në dritën e zhvillimeve të fundit, KFOR-i po rrit praninë dhe aktivitetin e tij në veri të Kosovës dhe në zonat përreth vijës kufitare për të siguruar që ai të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”.
Më tej, ata kanë theksuar se mandati i KFOR-it është i qartë dhe nuk përfshin zbatimin e ligjit dhe kjo i mbetet Policisë së Kosovës.
“Ne gjithmonë do të vazhdojmë të sigurohemi që komandanti ynë të ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm që KFOR-i të përmbushë mandatin e tij. Ne jemi të gatshëm të bëjmë rregullime të mëtejshme në qëndrimin e KFOR-it sipas nevojës.
Mandati i KFOR-it në OKB është i qartë dhe nuk përfshin zbatimin e ligjit. Kjo mbetet një prerogativë ekskluzive e Policisë së Kosovës”.
Ndërkaq, ministri britanik për Çështje Evropiane, Leo Docherty, është shprehur i kënaqur që forcat e Mbretërisë së Bashkuar do t’i bashkëngjiten KFOR-it në Kosovë.
Ministri britanik Docherty ka thënë se kjo demonstron përkushtimin e tyre ndaj NATO-s dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Ai ka thënë se rruga e vetme drejt paqes në Kosovë është përmes dialogut.
“Ne kërkojmë qetësi dhe depërshkallëzim nga të gjitha anët. E vetmja rrugë e qëndrueshme drejt paqes në Kosovë është përmes dialogut”, ka shkruar ministri britanik për Çështje Evropiane, Leo Docherty në platformën “X”.