Politikani serb, Nikola Sanduloviq, një nga liderët e opozitës në Serbi tha se pas sulmit në veri të Kosovës qëndron pa diskutim Aleksandër Vuçiq.
Sipas tij, kur flet në emër të Serbisë, Vuçiq flet në emër të interesit të tij personal, pasi një pjesë e madhe e serbëve e njohin Kosovën të pavarur.
“Në bisedën që kam pasur me Kurtin, kur më ka pyetur çmendim ke për Zajdenicën i kam thënë mos bjerë dakord me këtë se vetëm emërtimi tregon prefiksin e Serbisë dhe kjo do t’i japë të drejtë që të bëjë një aneksim me referendum dhe jepte dritë jeshile për një reagim të drejtpërdrejtë.
Një lojë politike shumë e papastër. Kam folur me Kurtin ku i kam thënë ‘nuk jam kundër Zajdenicës së serbëve, po ajo që duhet të lidhë 2 shtetet tona është në radhë të parë një kërkim ndjese për atë që Serbia i ka bërë shqiptarëve dhe pranimi i pavarësisë dhe më pas të bëhet Zajdenica’. Këtë ja them vazhdimisht edhe serbëve. Unë si patriot i madh i Serbisë e dua popullin tim, e dua edhe popullin tuaj”, tha politikani serb.
Sanduloviq e cilësoi presidentin Vuçiq si kriminel.
Sipas tij, Vuçiq ka organizuar sulmin e 24 shtatorit në veri dhe nuk ka asgjë që mund të ndodhë në këtë zonë pa dijeninë e Vuçiq-it.
“Nuk mund ta pranoj dhe më besoni, një pjesë e madhe e serbëve në Serbi nuk e pranojnë diçka të tillë, dhe kur Aleksandër Vuçiq flet në emër të Serbisë, dua ta dini që ai flet në emrin e tij personal… Serbia nuk e ka të njëjtin mendim si Aleksandër Vuçiq.
Një shtet demokrat i lirë do që të jetë në miqësi me popullin shqiptar. Unë jam prezantues i një Serbie demokrate. Një pjesë e Serbisë normale e mendon Kosovën si një vend të pavarur dhe ne patjetër e mbështesim si vend”, u shpreh Sanduloviq.
Politikani serb, theksoi se sulmi i 24 shtatorit në veri të Kosovës ishte një aksion terrorist i sofistikuar.
Sipas tij, përgjegjësia për këtë bie mbi presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
“Që t’i dorëzohet Radoiçiqi institucioneve të Kosovës do të ishte një dritë jeshile. Një kriminel si Radoiçiq me siguri do e tërhiqte dhe Vuçiqin me vete. Nuk e besoj. Jam i bindur që diçka e tillë nuk ka për të ndodhur.
Nëse kjo do të ndodhte, edhe Vuçiq do të humbiste me të. Sidoqoftë, që të diskutojmë që Radoiçiq të dorëzohet është plotësisht e pamundur. Në Kosovën veriore nuk mund të ndodhë asgjë pa dijeninë e Aleksandër Vuçiq, pra një sasi aq e madhe armësh nuk mund të kalojë në atë mënyrë, nuk mund të kalojë nëpër Bosnjë apo shtete të tjera. Si mund ta besoni? Nuk mund ta besoni! Është ofendim i inteligjencës tonë”, u shpreh Sanduloviq.