Milan Radoiçiq, të martën më 3 tetor, u dërgua në mbajtje për 48 orë, të paktën kështu u raportua edhe nga Prokuroria e Lartë Publike në Beograd.
Por, s’janë bërë as 24 orë dhe Radoiçiqi u lirua.
Gjykata në Beograd e liroi sot Radoiçiqin derisa gjyqtari i procedurës paraprake refuzoi propozimin e Prokurorisë së Lartë për caktimin e masës së paraburgimit.
Prokuroria e ka kërkuar paraburgimin me arsyetimin e rrezikut të arratisjes.
Me vendimin e 4 tetorit, Radoiçiqit i është ndaluar largimi prej territorit të Serbisë, pa miratim të gjykatës dhe i është ndaluar të hyjë në territorin e Kosovës.
Sipas këtij vendimi, ai do të duhet të paraqitet në stacionin policor kompetent në datat 1 dhe 15 të çdo muaji.
Sipas Prokurorisë, Radoiçiq dyshohet se “ka siguruar armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla, në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, nga janari 2023 deri më 24 shtator”.
Armët, tha Prokuroria, i janë dorëzuar në territorin e qytetit të Beogradit – më së shpeshti në paralagjet Bubanj Potok dhe Vërçin.
Më pas, ato armë “ai i ka transportuar dhe ruajtur në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës, ku i ka fshehur në objekte të braktisura dhe pyje”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.
Sipas saj, i dyshuari e ka mohuar kryerjen e veprave të përmendura penale.
Policia në Bosnje dhe Hercegovinë paralajmëroi se do të nisë verifikimin e pretendimeve se Radoiçiq ka siguruar armë, municione dhe mjete shpërthyese nga Tuzlla.