Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Përpjekje që të ndërmjetësohet një takim Osmani-Vuçiq, sipas “The Guardian”

Burimet e Gazetës britanike “The Guardian”, thonë se po punohet për t’u ndërmjetësuar një takim mes presidentes kosovare Vjosa Osmani, dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, të enjten në Granda.

“Vuçiq dhe Osmani do të marrin pjesë në një samit në Granada të 51 liderëve evropianë të enjten dhe burimet thonë se ka përpjekje për t’i bërë bashkë ata në një dhomë pavarësisht armiqësisë politike midis dy vendeve”, shkruan gazeta britanike.

Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, dje në një intervistë për CNN, ka thënë se ende nuk ka asnjë konfirmim se Serbia ka tërhequr trupat e saj ushtarake nga kufiri me Kosovën. Këtë e ka deklaruar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, një ditë më parë derisa Vuçiq pretendon se de-eskalimi ka ndodhur.

Ajo ka deklaruar se përmes sulmeve terroriste ndaj Kosovës, Serbia do t’ia hapë rrugën Putinit rus që të hap një front të ri kundër Perëndimit, në Ballkanin Perëndimor.

“Nuk ka ende asnjë konfirmim që kjo [tërheqja e trupave ushtarake serbe] ka ndodhur dhe ne po punojmë shumë ngushtë me aleatët tanë për ta konfirmuar.”

Presidentja Osmani tha po ashtu se shteti serb duhet të sanksionohet për veprimet e saj në veri të Kosovës.