“Kam parë babanë të ma vrasin para syve në Lushnjë dhe u betova se do të marr hak”, kështu e nisi dëshminë para hetuesve 39-vjeçar Artan Tafani, i cili mban edhe emrin Marius.
Ai tregoi se gati një dekadë më parë hyri në kontakt me Laert Haxhiun për t’u bërë partnerë në krim. Në emër të gjakut, Tafani bashkëpunoi me Laert Haxhinë për të vrarë cilindo që prej tij cilësohej si kundërshtar nga Çajup Selimi, Alban Semakun dhe Albi Bashaliun por edhe të përgatiste vrasje apo të vendoste eksploziv për interes të tij. Sipas tij ndërkohë që shteti i kërkonte prej vitesh, ata lëviznin lirshëm edhe në qendër të Tiranës.
Në morinë e dëshmive të dhëna nga Artan Tafani për krime të ndryshme të ndodhura nga viti 2018 deri në vitin 2023 policisë dhe prokurorisë i ka lindur nevoja për të faktuar vërtetësinë e këtyre thënieve. Mes të tjerash Tafani ka treguar dhe banesat e marra me qira ku grupi qëndronte në Tiranë në zonën e Astirit dhe në qendër te Pazari i Ri.
Hetuesit kanë hapur dosjet e vrasjeve që përmend Tafani për të ballafaquar provat e gjetura në vendngjarje dhe ato të deklaruara nga bashkëpunëtori i drejtësisë. Disa prej deklarimeve të tij nuk qëndrojnë prandaj ai është intervistuar disa herë ditëve të fundit. Në pjesën dërmuese të thënieve të tij kryefjalë është Laert Haxhiu të cilin ai e përshkruan si një person të etur për hakmarrje për të eliminuar këdo që ishte pjesëtar apo i afërt me Bandën e Aldo Bares por edhe personat të cilit kishin thyer besimin e tij qofshin këta edhe bashkëpunëtorë të tij. Dyshimi se ai mund të ishte viktima e radhës pas ftohjes së marrëdhënieve mes tyre ishte një shtysë për Artan Tafanin të thyej para hetuesve dhe të rrëfente krime të cilat autoritetet i kishin pa autor.