Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Bundeswehr-i s’do ta rrisë numrin e ushtarëve në KFOR

efundit

Gjermania nuk do ta rrisë kontingjentin e Bundeswehr-it në Kosovë në kuadër të KFOR-it, pavarësisht situatës së tensionuar në vend.

Kjo u bë e ditur nga zëdhënësi i ministrisë gjermane të Mbrojtjes, Michael Stempfle, i cili përsëriti se aktualisht nuk ka plane për të rritur numrin e ushtarëve gjermanë në KFOR.

Vendimi, sipas tij, është marrë në konsultim me shtetet partnere.

Vendet e tjera të NATO-s, nga ana tjetër, duan të forcojnë trupat e tyre. Gazeta gjermane “Zeit” shkruan se Britania ka premtuar të dërgojë 600 ushtarë të tjerë, Rumania dëshiron të dërgojë rreth njëqind ushtarë shtesë.

Edhe ShBA-ja ka thënë se nuk do të shtojë numrin e paqeruajtësve në KFOR.

Rreth 4,500 ushtarë të forcës paqeruajtëse të KFOR-it janë aktualisht të stacionuar në Kosovë, 71 prej të cilëve janë anëtarë të Bundeswehr-it. Sipas mandatit, do të mund të dërgoheshin deri në 400 ushtarë gjermanë në vendin ballkanik.

Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës janë përshkallëzuar ndjeshëm së fundmi. Më 24 shtator, një komando serbe sulmoi një patrullë policore të Kosovës në Banjskë, duke lënë të vdekur një rreshter të Policisë së Kosovës.

“Zeit” shkruan se politikani serb i Kosovës Milan Radoiçiq më vonë e përshkroi veten si udhëheqësin e këtij grupi terrorist. Megjithatë, qeveria kosovare dyshon në rrëfimin e tij dhe thotë se qeveria serbe e presidentit Aleksandar Vuçiq ka ditur për planet e sulmit apo edhe i ka urdhëruar ato.

Kreu i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, së fundi ka prezantuar pamjet me dron që supozohet të tregojnë stërvitjen e skuadrës komando në terrenin zyrtar ushtarak serb.