Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Gjyqi për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, çka deklaruan dje dëshmitarët

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, trupi gjykues mori vendim që të mbyllet për publikun dëshmia e dëshmitarit D.K, në rastin ku Jeton dhe Nexhat Vllasaliu po akuzohen për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi.

Propozimin që kjo seancë të mbyllet për publikun e bëri prokurori i shtetit, Armend Hamiti për shkak se gjatë dhënies së dëshmisë nga dëshmitari D.K mund të ketë edhe disa të dhëna që i përkasin jetës personale dhe familjare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me një propozim të tillë u pajtua edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Besnik Berisha.

Ky propozim nuk u kundërshtua nga të akuzuarit Jeton dhe Nexhat Vllasaliu dhe as nga mbrojtësit e tyre, avokatët Shemsedin Piraj dhe Ndrecë Dodaj.

Më pas, propozimi në fjalë u aprovua nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Medie Bytyqi.

Paraprakisht, seanca e së enjtes ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Ismet Rexhepi, i cili dëshminë e tij kishte filluar më 5 korrik 2023, e cila seancë ishte ndërprerë me kërkesë të përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Berisha për shkak të temperaturave të larta në sallë dhe për shkak të përfundimit të orarit të gjykatës.

Në atë seancë, i njëjti kishte deklaruar se që nga momenti kur kanë kuptuar për zhdukjen e tani të ndjerit Rexhepi, është munduar që të gjejë çfarëdo informacioni që mund të çojë deri në zbardhjen e së vërtetës.

Kurse dëshmitari Rexhepi në seancë e së enjtes ndër të tjera ka deklaruar se personi që kanë dyshuar që ka të bëjë në zhdukjen e Bedri Rexhepit ka qenë i akuzuari Jeton Vllasaliu.

Sipas tij, deri te ky dyshim kishte ardhur për shkak të deklarimit të Jetonit dhe atë: “Pasi që Jeton Vllasaliu e ka thirrur në telefon këtë D. dhe i ka thënë se “Bedria ka me u gjet shnosh e mirë, po shoqnia kom me u prishë”.

Më pas, është dëgjuar dëshmitari Almir Osmani fillimisht ka thënë se me tani të ndjerin Bedri Rexhepi kishin qenë të afërt pasi që kishin punuar së bashku, me vetura.

Tutje i njëjti ka deklaruar se qëndron prapa së dhënë në procedurën hetimore, në polici si dhe në prokurori.

Ndër të tjera, dëshmitari ka deklaruar se tani i ndjeri me të akuzuarin Jeton Vllasaliu kishin pasur marrëveshje për shitblerjen e dy veturave në shumën prej 30 mijë euro dhe atë shumën prej 20 mijë për “Range Rover” dhe shumën prej 10 mijë për “BMW X3.

Ai ka thënë se më datë 7 prill, i ndjeri kishte biseduar me Jetonin Vllasaliun për të shkuar me i marrë veturat, mirëpo Jetoni i kishte thënë a mundem të pushojë edhe pak, për çka Bedriu kishte qenë në rregull.

Më 8 prill, dëshmitari tha se ishte nisur prej Gjilanit në Ferizaj me shumën prej 30 mijë euro, ndërsa Bedriu e kishte telefonuar duke i thënë se ishte nisur për ta marrë Jetonin dhe të shkonin në Ferizaj.

Sipas dëshmitarit, Jetoni nuk ka pasur dijeni cili do ta bënte pagesën prej 30 mijë euro.

Dëshmitari Osmani ka theksuar se pasi kishte arritur në Ferizaj kishte pritur dhe kishte telefonuar dhe dërguar mesazh Bedriut, mirëpo ky i fundit nuk i ishte përgjigjur.

Tutje tha se kishte pritur deri në ora 19 pastaj ishte kthyer në Gjilan ku përsëri kishte provuar ta thërrasë Bedriun, por ia kishte ndërpre një herë dhe nuk kishte tentuar më deri rreth 21:23 minuta ku i kishte dërguar Bedriu mesazh në viber.

Ai ka thënë se nuk kishte pranuar asnjëherë mesazh të tillë nga Bedriu, me arsyetimin se ai kishte shkruar pastër në shkrim, e që një gjë e tillë e kishte shtyrë të dyshojë që nuk e ka shkruar ai.

Ndër të tjera dëshmitari ka thënë se kur ishte takuar me Jetonin dhe D. para stacionit Policisë në Lipjan, përkatësisht kur kishin ngrënë ushqim, i njëjti kishte pohuar se ka takuar me Bedriun, për të ia kthyer borxhin prej 2 mijë euro, që i kishte mbetur pasi kishte marrë veturë me qira nga Bedriu, por që i kishte mbetur edhe 400-500 euro, ndërsa sipas tij, i njëjti e kishte mohuar shitblerjen e veturave.

Ndër të tjera dëshmitari Osmani ka thënë se Bedriu i kishte besuar shumë Jetonit, po ashtu i kishte ndihmuar kur ka pasur nevojë si për punë e deri në harxh për shtëpi.

Sipas akuzës, ata fillimisht i kishin ndarë rolet dhe planifikuar veprimet dhe Jeton Vllasaliu duke shfrytëzuar besimin që i dëmtuari/i ndjeri Rexhepi kishte ndaj tij, e vë në lajthitje të njëjtin, ashtu që duke filluar nga 9 janar 2021, i kishte ofruar për shitje dy vetura, një “Range Rover” dhe një “BMW X3”, për vlerën prej 30 mijë euro.

Tutje, thuhet se gjatë realizimit të planit te tyre, i pandehuri Jeton, më 8 prill 2021 të dëmtuarin Rexhepi e dërgon në fshatin Vllasali në shtëpinë e të pandehurit Nexhat ku paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij.

Pas kësaj, aktakuza thotë se i pandehuri Jeton në mënyre tinëzare duke e ngufatur e privon nga jeta Rexhepin, duke menduar se ka me vete shumën e të hollave dhe atë në vlerë prej 30 mijë euro, siç edhe ishin marrë vesh për shitjen e veturave.

Mirëpo, sipas aktit akuzues pas vrasjes tek viktima kishte gjetur vetëm shumën prej 8 mijë euro që i ka ndarë me të pandehurin Nexhat Vllasaliu. Pastaj, thuhet se kufomën e të ndjerit e dërgon në katin e tretë të shtëpisë dhe në pamundësi për ta varrosur e kishte mbështjellur kokën e tij me qese të zezë të najlonit, kurse tërë trupin me perden e shtëpisë së të pandehurit Nexhat dhe e kishte lidhur me një litar.

Tutje, thuhet se veturën e të ndjerit Rexhepi e kishte dërguar në arat e fshatit Sushicë-Janjevë dhe nga aty, i pandehuri Jeton i kishte telefonuar të pandehurit Nexhat, i cili pastaj e kishte marrë me veturën e tij në rrugën që dërgon tek vendi ku e kishte lënë automjetin e të ndjerit.

Në vazhdim të aktakuzës, thuhet se në këtë mënyrë, i pandehuri Nexhat do të merrte pjesë në kryerjen e veprës dhe atë duke tentuar t’i humb gjurmët e kryerjes së veprës, ashtu siç edhe ishte planifikuar më herët.

Sipas aktakuzës, të nesërmen herët në mëngjes më 9 prill 2021, së bashku shkojnë në shtëpinë e tyre në fshatin Vllasali tek vendi ku ishte kufoma dhe në bashkëkryerjeje e dërgojnë në vendin kodrinor-malor të quajtur Mali i Madh në Vllasali, ku i pandehuri Nexhat e kryen veprimin siç e kishin planifikuar më herët, për zhdukjen e kufomës duke e varrosur dhe duke i fshehur edhe gjurmët deri më 30 shtator 2022, kur janë gjetur mbetjet mortore që besohet se janë të të dëmtuarit Rexhepi.

Të njëjtit, po ashtu ngarkohen me veprën penale “Dëmtim i varreve apo kufomave”, nga neni 413, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, të pandehurit Vllasaliu më 9 prill 2021, rreth orës 06:00 në fshatin Vllasali Novobërdë, në bashkëkryerjeje me qëllim të fshehjes së gjurmëve për veprën e kryer penale e kanë fshehur kufomën e tani të ndjerit Rexhepi, duke e varrosur në një vend që nuk është vendvarrim, gjegjësisht në vendin e quajtur Mali i Madh në Vllasali.