Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, ka folur rreth zhvillimeve të fundit në veri, ku si pasojë e sulmit terrorist nga një grup i armatosur që sulmoi Policinë e Kosovës mbeti i vdekur, rreshteri Afrim Bunjaku.
Për këtë sulm mori përgjegjsinë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.
Rohde në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime” javën e kaluar ka thënë se mendon që dikush dëshiron të hedhë të gjithë fajin vetëm mbi Radoiçiqin.
“Po, edhe unë e pashë që ai [Millan Radoiçiq] ka dhënë dorëheqjen si zëvendëskryetar i Listës Serbe. Dua të them, shumë nga këto zhvillimi janë absurde. Unë mendoj se dikush dëshiron të hedhë të gjithë fajin vetëm mbi të [Radoiçiq]. Ne mund të mos e kuptojmë kurrë për krejt atë që ka ndodhur në prapavijë, por është e qartë për mua se po të ishte sukses (ky aksion) atëherë suksesi do të kishte shumë baballarë apo prindër, e faji (apo dështimi) gjithmonë mbetet jetim”- ka thënë ambasadori gjerman.
Ai ka shtuar se për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit duhet të bëhet një hetim i plotë për të qartësuar shumë gjëra.
“Ajo që është e qartë tani është se ka ndodhur një sulm i tmerrshëm dhe vrastar dhe një polic u vra dhe kjo do të thotë se më nuk mund të vazhdojmë aty ku kishim mbet para këtij incidenti, e të sillemi sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Duhen të kërkojmë përgjigje, duhet të bëhet një hetim i plotë që shpresojmë që do të qartësojë shumë gjëra. Autorët duhet të sillen para drejtësisë”, tha tutje ambasadori gjerman.
Ai ka thënë gjithashtu se ky ishte një sulm dhe komuniteti ndërkombëtar menjëherë reagoi.
“Të gjithë e kanë dënuar këtë sulm. Ajo që kishte ndodhur më parë ishte një zhvillim politik dhe ne kemi reaguar edhe ndaj tij. Dua të them se tash më nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur asgjë, sepse kur ke transportues personal të armatimit, raketahedhës, granata dore, sulm të stilit ushtarak pra një sulm në territorin e Kosovës, ky është një sulm i drejtpërdrejtë kundër integritetit të Kosovës dhe si i tillë edhe duhet të vlerësohet. NATO është përgjigjur, siç e dini, e ka shtuar praninë e saj, gjë që ndodhi dje dhe ne po vazhdojmë të monitorojmë situatën për së afërmi. Ajo që është për të bërë të ndihesh rehat, i qetë e i sigurtë, dhe këtë e kanë thënë të gjithë, është reagimi i Policisë së Kosovës që ishte shumë profesional dhe në koordinim të ngushtë me shërbyesit ndërkombëtarë të sigurisë, KFOR-in dhe EULEX-in”, ka thënë Rohde
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, ka thënë se qëndrimi i shtetit gjerman për sa i përket sovranitetit të shtetit Kosovës nuk ka ndryshuar.
Ai ka thënë se Gjermania nuk mendon që KFOR-i të marrë nën kontrollë veriun e Kosovës.
“Mendoj se të gjitha deklaratat tona e kanë bërë të qartë këtë javë se Kosova është një vend sovran. Policia e Kosovës është institucion për zbatimin e ligjit në Kosovë e mbështetur nga KFOR-i dhe EULEX-i”, ka thënë ambasadori Rohde.
Rohde ka shtuar se nëse kërkohet nga Policia e Kosovës që të veprojë KFOR-i apo EULEX-i, ata do të veprojnë sipas rregullave.