Ditë më parë, deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës Ganimete Musliu, ka thënë se nëse jo KQZ e Kushtetuesja, deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të mobilizohen, e të mos e lejojnë Listën Serbe të futet në Kuvend.
Krejt, kjo deklaratë e saj erdhi pas sulmit në veri, ku përgjegjësinë për këtë sulm e mori tashmë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq.
Ajo, ka thënë se Lista Serbe e mbështet terrorizmin dhe agresionin ndaj Kosovës.
Ndërsa, ka folur edhe për kërkesën e saj karshi kësaj partie.
“Unë mendoj se duhet të mobilizohemi në të gjitha mënyrat që Lista Serbe mos të futet më në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Unë pres që këto ditë Qeveria e Republikës së Kosovës njëjtë siç ka bërë edhe me organizata të tjera kriminale në Serbi që i ka shpallur organizata kriminale. Unë mendoj se duhet të veprohet njëjtë dhe të kërkoj që ti propozoj organeve të drejtësisë që Listën Serbe ta shpallë një organizatë e cila mbështet terrorizmin dhe nuk ka të drejtë të futet në Kuvend sepse nuk ka asnjë kuptim më që në këto ulëse të Kuvendit të Republikës së Kosovës të ulet Lista Serbe e cila shpallë tri ditë zie për terroristët të cilët vranë policin Afrim Bunjaku dhe destabilizuan komplet vendin”, ka thënë Musliu.
Por, se a ka mbështetjen e deputetëve të tjerë për këtë kërkesë.
“Nuk kam biseduar me deputetë por ne kemi precedane kur deputetët janë organizuar dhe i kanë penguar deputetët e tjerë për të hyrë në sallë. Vet fakti që ju e dini se disa herë Lëvizja Vetëvendosje kur ishte në opozitë na i ka mbyllë dyert e Kuvendit saqë ka ardhë edhe deri të grushtimi i ambasadores amerikane atëherë. Unë mendoj që me pak vullnet edhe me pak organizim, nëse jo organet e drejtësisë gjithmonë po them si deputet mund të iu pamundësojmë pjesëmarrjen në seancë”, ka shtuar ajo.
E, pyetur se a do t’iu mbyllen edhe këta dyert Listës Serbe, Musliu ka dhënë këtë përgjigje.
“Normal se ne nuk do t’i prangosim se nuk është roli jonë ai, por mund t’ua pamundësojmë hyrjen në Kuvend. Me një organizim shumë të thjeshtë mund t’i pamundësohet, vetëm duhet me pas vullnet edhe gatishmëri”, është shprehur Musliu.