Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Fëmija 3-vjeçar humb jetën pas trajtimit në klinikë “Dentistët mund të marrin vetëm gjobë”

Tragjike mund të konsiderohet ngjarja e ndodhur një ditë më parë në kryeqytet, ku një fëmijë vetëm 3 vjeç humbi jetën nga pakujdesia e dy dentistëve.

Teksa hetimet vijojnë, avokatja Mirela Biba tu shpreh se mjeku anestezist Roland Xhaxho, i cili akuzohet për mjekim të pakujdesshëm të 3-vjeçarit mund të marrë edhe vetëm një gjobë. Në fjalën e saj, midis të tjerash ajo pohoi se është një ndryshim në nenin 96 të Kodit Penal që përcakton ndryshimin mes një kundërvajtje penale dhe një vepre penale.

“Diferenca mes kundërvajtjes penale dhe veprës penale është marzhi i dënimit, ku kundërvajtjet penale dënohen edhe me gjobë, por jo më shumë se 5 vite burg. Në momentin që bëhet fjalë për më shumë se 5 vite burg, duke përjashtuar dhe mundësinë e gjobitjes, normalisht që konsiderohet vepër penale,” – u shpreh Biba.

Sakaq, ditën e sotme ka reaguar edhe Prokuroria e Tiranës e cila ka nisur hetimet për ‘Neglizhencë në trajtimin mjekësor’.

REAGIMI I PROKURORISË
Duke marrë parasysh ndjeshmërinë e madhe të opinionit publik për ngjarjen ku i mituri me inicialet B.S., humbi jetën pas trajtimit në një klinikë private, si dhe interesin e shtuar të medias në lidhje me këtë çështje, Prokuroria Tiranë dëshiron të informojë se:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiskionit të Përgjithshëm Tiranë, mbi bazën e materialit të referuar nga Komisariati i Policisë Nr.4 më shkresën Nr.7057/k Prot të datës 04.10.2023, ka regjistruar më datë 05.10.2023 procedimin penal nr.6477 të vitit 2023, për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”, parashikuar nga neni 96 i Kodi Penal.

Nga ana e prokurorisë, po vijon kryerja e veprimeve të tjera procedurale në lidhje me procedimin penal, me qëllim evidentimin e të gjitha rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së shtetasit.