A keni dëgjuar ndonjëherë për alergjinë nga uji? Mund të duket e pabesueshme, por ja që ka njerëz që vuajnë prej saj. E tillë është historia e 25-vjeçares Tessa Hansen Smith, e cila jeton në Kaliforni, në Shtetet e Bashkuara.
Që prej moshës 8-vjeçare, ajo vuan nga një alergji shumë e rrallë, e quajtur “urtikaria akuagjenike”, që bën që, nëse bie në kontakt me ujin, shkakton plagë dhe skuqje të lëkurës, të shkaktuara edhe nga djersa ose lotët e saj.
Është një sëmundje shumë e rrallë, ku në të gjithë botën janë më pak se 250 persona të prekur nga kjo formë alergjike dhe që në veçanti gratë vuajnë nga ajo. Pas vitesh testimi nga specialistë, e para që kuptoi sëmundjen e veçantë të vajzës ishte nëna e saj , dr. Karen Hansen-Smith, mjeke e përgjithshme.
“U ndjeva pak fajtore si nënë që nuk e kuptova menjëherë, kur pashë vajzën time duke dalë nga dushi me ato skuqje, se ishte një problem i ujit”, tha nëna e Tessa-s.
Tessa foli edhe për vështirësitë e saj në të ngrënë. Nëse pi ujë ose ha ushqime të pasura me ujë, thotë se ndjen një ndjesi djegieje, për këtë arsye pi kryesisht qumësht, një ushqim në të cilin uji balancohet nga yndyrat dhe proteinat.
“Unë përdor deodorant dhe depilohem sa më shumë që të jetë e mundur për të zgjidhur problemin e erës dhe prirem të mos përfshihem në aktivitete që më bëjnë të djersitem. Unë u përpoqa të përdor peceta të lagura për një kohë, por edhe ato shkaktojnë dhimbje. Të jesh në dush për më shumë se pesë minuta nuk është përvoja relaksuese për të cilën të gjithë flasin”, u shpreh ajo./Living/