Në Parlamentin Europian, atmosfera mes grupeve politike është e qartë: “Durimi ndaj politikave destabilizuese të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është drejt fundit”.
Në një intervistë me Alice Taylor në podcastin Inside Albania, raportuesja për Kosovën dhe njëherazi euro-deputetja e të Gjelbërve, Viola von Cramon, konfirmoi se ndaj Serbisë është përgatitur një paketë masash, në përgjigje të sulmit të armatosur të 24 shtatorit në Banjskë.
“Nuk do t’i quaja sanksione, sepse ato duhen miratuar nga Këshilli, por flasim për masa politike dhe financiare, që natyrisht do të dëmtojnë qeverinë e Serbisë”, tha Von Cramon.
Për von Cramon, Vuçiç duhet të bashkëpunojë dhe të sigurojë një hetim korrekt për ngjarjen e 24 shtatorit.
“Vuçiç është në kontroll të shumëçka ndodh në Serbi. Vështirë të mendohet se ai nuk kishte dijeni se çfarë po ndodh sa i takon blerjes së armatimeve, apo organizimit të grupit agresor. Megjithatë, nuk mendoj se Serbia ka interes për një sulm më të madh ushtarak, apo për luftë”, shtoi ajo.
Për raportuesen për Kosovën është me rëndësi që Serbia të nënshkruajë çdo marrëveshje të arritur me Kosovën, ndërsa kjo e fundit të sigurojë krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe në veri.
Von Cramon zbuloi se për çështjet e mbetura pezull në dialogun mes palëve, është në diskutim një propozim i ri.
“Ajo që kuptoj është se shumë diplomatë po hartojnë një tjetër propozim se si do të bëjmë para. Më tepër detaje nuk mund të jap për momentin”, tha von Cramon.
Me tone akoma më të ashpra, euro-deputeti holandez i grupit Social-Demokrat, Thijs Reuten, i tha gazetares Alice Taylor se është e qartë cila palë po destabilizon situatën.
“Pavarësisht kritikave të shumta për muaj të tërë nga ana e Parlamentit, sanksione janë vendosur vetëm ndaj Kosovës dhe jo ndaj agresorit, shkakut kryesor të destabilizimit dhe provokimeve që kemi parë prej kohësh”, deklaroi Thijs Reuten
Reuten ishte i qartë në kërkesën e tij: Bashkimi Europian duhet ta ndëshkojë Serbinë.
“BE duhet të braktisë politikën katastrofale të pajtimit me Vuçiç sepse nuk po funksionon. Sa herë Vuçiç është kthyer nga Brukseli në Beograd dhe me krenari ka treguar se nuk ka firmosur gjë, Komisioneri Varhelyi i ka shkuar në derë me 600 milionë euro! Kjo duhet të marrë fund!”- tha ai.
Për Reuten, është me rëndësi rikthimi në tryezën e dialogut, por vetëm pasi të jenë ndalur provokimet.
“Çdo gjë që ndodhi, jo vetëm gjatë javës së shkuar por edhe në muajt pas Marrëveshjes së Ohrit, hyn në listën e gjatë të provokimeve. Duhet krijuar atmosfera e duhur që palët të ulen në një tryezë sërish dhe të punojnë për normalizimin”, nënvizoi Thijs Reuten.
Euro-deputeti holandez kritikoi edhe marrëdhënien e afërt mes Serbisë dhe Rusisë.
Për Reuten, takimi i Vuçiç me ambasadorin rus në Beograd vetëm një ditë pas sulmit të Banjskës, është tregues se presidenti serb nuk e merr seriozisht Bashkimin Europian.