Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Çka është Hamasi?

Sulmi ndaj Izraelit të shtunën ka bërë që qendrat e kërkimit dhe rrjetet sociale të mbushen me pikëpyetje se çfarë dhe përse ka ndodhur kjo.

Për disa nga pyetjet i gjeni këtu përgjigjet:

Çka është Hamasi?

Hamasi është grup militant palestinez islamik që udhëheq në Rripin e Gazës. Ky grup është betuar për shkatërrimin e Izraelit dhe ka luftuar disa herë brenda Izraelit që kur mori pushtetin në Gaza më 2007.

Në mes këtyre luftërave, ka kryer vetë ose ka lejuar grupe të tjera të sulmojnë me raketa Izraelin. Ka kryer po ashtu edhe sulme të tjera vdekjeprurëse. Izraeli po ashtu në vazhdimësi ka përsëritur sulmet ndaj Hamasit nëpërmjet ajrit, dhe bashkë me Egjiptin, e kanë bllokuar Rripin e Gazës më 2007, në vendim për të cilin kanë thënë se bëhet për hir të sigurisë.

Hamasi si tërësi, ose në disa raste edhe vetëm degë të saj, cilësohet grup terrorist nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar. Hamasi përkrahet nga Irani që e financon dhe i siguron armatim e ushtrime.

Çka është Gaza?

Rripi i Gazës është 41 kilometra i gjatë dhe 10 kilometra i gjerë, si territor në mes të Izraelit, Egjiptit dhe Detit Mesdhe. Është shtëpia e rreth 1.6 milionë banorëve dhe ka një prej dendësive më të mëdha të popullatës në botë.

Izraeli kontrollon hapësirën ajrore mbi Gaza dhe vijën e saj bregdetare dhe e kufizon se kush dhe çfarë mallrash lejohen të hyjnë dhe të dalin nga pikat kufitare. Ngjashëm edhe Egjipti kontrollon se kush hyn e del përmes kufirit të vet me Gazën.

Rreth 80 për qind e popullatës në Gaza varet nga ndihmat ndërkombëtare, sipas Kombeve të Bashkuara, dhe rreth një milion njerëz varen nga ndihmat edhe për ushqim ditor.

Përse po luftojnë Izraeli dhe Hamasi?

Ka tensione të vazhdueshme në mes të Izraelit dhe Hamasit, por sulmi i së shtunës nga Hamasi erdhi pa asnjë paralajmërim. Hamasi lëshoi mijëra raketa ndaj Izraelit dhe dhjetëra luftëtarë të Hamasit thyen kufirin e hynë në Izrael duke vrarë civilë e duke marrë pengje.

Izraeli u kundërpërgjigj shpejt me sulme të ashpra në Gaza, në bazat e militantëve.

Është e paqartë se çka shtyri Hamasin për këtë sulm, por një operacion i tillë thuhet se ka marrë muaj kohë përgatitjesh e planifikimesh.

Çka është Palestina dhe çka kanë lidhje sulmet me të?

Bregu Perëndimor dhe Gaza, që njihen edhe si territore palestineze, si dhe Jerusalemi Lindor dhe Izraeli të gjitha kanë qenë pjesë e tokës së njohur si Palestinë që nga koha romake.

Ato ishin edhe tokat e mbretërive hebraike në Bibël dhe shihen nga hebrenjtë si atdheu i tyre.

Izraeli u shpall shtet më 1948, edhe pse territori vazhdon të quhet shpesh si Palestinë nga ata që nuk e njohin Izraelin. Palestinezët vazhdojnë ta përdorin emrin Palestinë si ombrellë për Bregun Perëndimor, Gazan dhe Jerusalemin Lindor./koha