Gjykata Themelore në Prishtinë, ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh, për të miturin i cili u arrestua në Pejë.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.
“I është caktuar mara e paraburgimit prej 30 ditësh. I njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “përgatitja e veprave terroriste””, ka thënë Gashi.
Telegrafi mëson se i dyshuari është B.M i mitur.
Edhe Gjykata Themelore përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të miturit B.M, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të miturit B.M dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh.
“Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim.
I njëjti është arrestuar nga Policia e Kosovës të shtunën më 7 tetor 2023.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti paraqet kërcënim. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar policia.
Rasti është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale.