Gëzim Kollçaku, avokati i të dyshuarit të mitur B.M, i cili u dërgua në paraburgim për 30 ditë, nën dyshimin se i njëjti ishte duke bërë plane për vrasjen e nxënësve në klasën e tij, ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Në një prononcim, avokati deklaroi se nuk ka asnjë provë që klienti i tij ka bërë përgatitje për kryerjen e krimeve.
“Jam i pakënaqur me vendimin, nuk ka prova. Nesër do të parashtrojmë ankesë, nuk ka pasur asnjë konflikt, është vetëm 16-vjecar”, tha ai.
Ndryshe, sot, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh, për të miturin i cili u arrestua në Pejë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.
“I është caktuar mara e paraburgimit prej 30 ditësh. I njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “përgatitja e veprave terroriste””, ka thënë Gashi.
Arrestimi i të miturit është bërë ditën e shtunë, në njoftimin e Policisë thuhej se i njëjti paraqet kërcënim për sigurinë.