Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Hovenier, Asociacioni në përputhje me Kushtetutën: Kosova t’i ndajë idetë me SHBA për këtë çështje

Ambasadori i SHBA’ve në Prishtinë Jeff Hovenier në një intervistë për Bloomberg ka folur rreth propozimit të Presidentes Vjosa Osmani e cila tha se Kosova duhet ta përgatis me SHBA’në draft statutin e Asociacionit. Sipas diplomatit amerikan nëse Kosova fillimisht dëshiron ta ndajë propozimin e saj me SHBA një gjë e tillë do të mirëpritej.

“Unë e shoh rolin e SHBA në këtë mënyrë siç e shoh rolin e SHBA në pjesën tjetër të dialogut. Pra, nëse qeveria e Kosovës dëshiron të parashtrojë idetë e saj se si të ecë më mirë përpara me një proces të besueshëm për themelimin e një Asociacioni duke përfshirë dhënien e ideve ose një draft aktual të një draft statuti, ne do ta mirëpresim këtë. Dhe nëse qeveria e Kosovës dëshiron ta ndajë këtë fillimisht me Shtetet e Bashkuara për reagimet tona, kjo është në rregull. Do ta mirëprisnim edhe atë” ka theksuar Hovenier për Bloomberg.

Por, sipas diplomatit amerikan hapat e mëpastajmë do të bëheshin në kuadër të dialogut të Brukselit.

“Në fund të ditës, megjithatë, ne do të duhet të punojmë me Bashkimin Evropian sepse kjo do të merret në kontekstin e dialogut të lehtësuar nga BE. Por çdo përpjekje që dëshiron të bëjë qeveria e Kosovës për të treguar se si do ta realizonte këtë vizion dhe do ta përmbushte këtë angazhim do të ishte një hap pozitiv dhe ne do ta mirëprisnim atë” ka theksuar ai.

Hovenier ka thënë se cështja e Asociacionit është urgjente, por ka përmendur kufizimet që do t’i ketë

“Për Kosovën, kjo do të thotë se do të duhet të lëvizë më herët se sa disa do të donin në obligimin e saj në lidhje me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe [ASM]. Komuniteti serb në Kosovë ka ende një numër shqetësimesh dhe ata e shohin ASM-në si një mënyrë për të ndihmuar në adresimin e këtyre shqetësimeve. Ne jemi dakord. Ne gjithashtu besojmë se ASM duhet të ketë kufizime, sepse ne besojmë se pa këto kufizime mund të bëhet diçka problematike ose burim jostabiliteti në vend të stabilitetit në rajon” ka theksuar ai.

“Ne besojmë se duhet të jetë në përputhje me kushtetutën aktuale të Kosovës. Ne besojmë se duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016. Ne besojmë se duhet të jetë në përputhje me letrën e Mogherinit që u dërgua. Asnjë autoritet ekzekutiv. Ne mendojmë se brenda këtyre kufizimeve ka hapësirë ​​që qeveria e Kosovës të bëjë veprime që do t’i përgjigjen shqetësimeve legjitime të komunitetit etnik serb, dhe mendojmë se ky është një element i asaj që duhet të ndodhë urgjentisht” ka shtuar Ambasadori.