Në sajë të këtij operacioni janë shpallur në kërkim edhe disa persona, mes të cilëve ai që njihet si ‘baroni’ i drogës në Fushë Kuqe, Gëzim Çela
Është vënë në pranga ditën e sotme shefi i komisariatit të Laçit, Dritan Meta, i dyshuar si mbështetës i grupit të trafikantëve që u kapën në muajin gusht duke shkëmbyer drogë në Lagunën e Karaburunit.Në sajë të këtij operacioni janë shpallur në kërkim edhe disa persona, mes të cilëve ai që njihet si ‘baroni’ i drogës në Fushë Kuqe, Gëzim Çela.
Por si ra në rrjetën e policisë ky grup i strukturuar kriminal?Operacioni anti-drogë u zhvillua nga policia shqiptare në bashkëpunim me Gurdia di Finanza në muajin gusht. Në një konferencë për mediat zëvendës drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga tha se operacioni nisi pasi strukturat monitoruese në terren, vunë re lëvizjen me shpejtësi të një gomonie, nga laguna e Patokut me drejtim jug-perëndimin. Gomonia është afruar pranë një tjetër mjeti lundrues tip veliere dhe më pas trafikantët që ishin në këto mjete lundruese, kanë shkëmbyer lëndë narkotike.
Në operacion u përfshinë avionët e Frontex-it dhe të GDF-së, ndërsa nga deti u përfshinë mjetet e Policisë Kufitare dhe mjetet e GDF-së, të cilat kanë bërë rrethimin e veleries. Trafikantët e drogës që ndodheshin në velerie, sapo kanë konstatuar se ishin rrethuar nga policia, i kanë vënë zjarrin mjetit lundrues dhe kanë tentuar të largohen me një barkë të vogël shpëtimi, por janë kapur në flagrancë.Operacioni zhvillohej paralelisht edhe në tokë në zonën e Kurbinit
Në të njëjtën kohë me ndërhyrjen nga deti, efektivët e Repartit Special “RENEA” kanë ndërhyrë nga toka, në ambientet e një restoranti në lagunën e Patokut, ku po qëndronin disa shtetas që dyshohet se kishin lidhje me tentativën për të trafikuar lëndë narkotike.
Në vijim të veprimeve, në bashkëpunim me SPAK-un, u bë arrestimi për veprat penale ‘Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizatat kriminale” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municioneve luftarake”.
Nga ky operacion u sekuestruan:
2 armë zjarri pistoleta, të markave “Glock” dhe “Zastava”;
200 fishekë pistolete model 54;
një automjet tip “Audi”;
4 aparate DVR për ruajtjen e pamjeve filmike;
45 000 euro, 250 000 lekë, 500 paund, 50 franga, 2 000 lira, 25 celularë;
Sasia 23 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, e gjetur në afërsi të velierës së djegur;
1 mjet lundrues tip gomone, bashkë me GPS-in;
Në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Flakë në det” u arrestuan: Arlind Ismailukaj, 47 vjeç, banues në Tiranë; Armando Mema, 37 vjeç, banues në Tiranë; Nerim Çela, 40 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Laç; Besnik Brokeri, 51 vjeç, banues në Vlorë; Kyrylo Ponomarenko, 39 vjeç, banues në Ukrainë; Kostiantyn Biellon, 44 vjeç, banues në Ukrainë.
Nerim Çela, është nipi i Gëzim Çela.