Më 11 dhe 12 tetor në Bruksel, mbahet takimi i ministrave të Mbrojtjes së shteteve anëtare të NATO-s.
Kur u pyet se a do të jetë rasti i sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator në mesin e temave të diskutimit në ministerialin e aleancës që mbahet të mërkurëne të enjten, një zyrtar i NATO-s tha për Klan Kosova se “pritet që agjenda e takimit të kësaj jave të ministrave të mbrojtjes së aleancës të përfshijë edhe shkëmbime pikëpamjesh mbi rolin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor”.
Të dielën e 8 tetorit u bënë dy javë kur një grup i armatosur që qeveria kosovare e shpalli terrorist, kreu akt agresioni në Banjskë ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku e u plagos polici Alban Rashiti.
Situatën aktuale në Kosovë, sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veri-Atlantike, Jens Stoltenberg, e cilësoi “shqetësuese për NATO-n.
Por në një intervistë dhënë për gazetën gjermane “Welt am Sonntag” Stoltenberg shtoi se nuk do lejohet kthimi në kohëra të errëta.
“Dua të them shumë qartë: trupat e NATO-s janë të gatshme të ruajnë paqen në Kosovë. Nuk do të lejojmë që dhuna e viteve 1990-ta të kthehet” shtoi Stoltenberg.
Si përgjigje ndaj zhvillimeve të 24 shtatorit, tashmë në Kosovë ka zbarkuar kontigjenti i parë prej 200 ushtarëve britanikë në kuadër të KFOR-it, për siç thuhet për përforcimin e misionit paqeruajtës.
Misioni i KFOR-it në këtë periudhë do ketë trupa shtesë edhe nga Rumania.