Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Konflikti i përgjakshëm në Izrael ‘shpërqendron’ ndërkombëtarët, paralajmërohet Kosova – Serbia me skenarë të rinj për veriun!

Izraeli ka shpallur gjendje lufte dhe ka thirrur afër 300.000 rezervistë për të luftuar kundër Hamasit, teksa numri i viktimave në Izrael dhe Gaza ka shkuar mbi 1.000.

Situata në këtë vend eskaloi pas disa sulmeve terroriste të pamëshirshme ndaj qytetarëve civil.

Mirëpo, ky konflikt po raportohet se mund të ketë ndikim direkt në situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

Tani që vëmendja e ndërkombëtarëve është fokusuar në Izrael, po thuhet se Serbia do e shfrytëzoj këtë momentum për sulme të reja në veri.

Serbisë i dështoi plani në fund të këtij shtatori, pasi Policia e Kosovës e neutralizoi sulmin terrorist të planifikuar nga paramilitarët në krye me Milan Radoiçiqin.

Kësisoj, duket se Serbia nuk do heq lehtë dorë dhe do e shfrytëzoj këtë ‘shpërqendrim’ të ndërkombëtarëve.

Shala: Shpërndarja e luftës në zonat tjetra të interesit është e pritshme tani nga ana e strategjisë së Rusisë

Image
Drizan Shala

Për këtë çështje foli eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një prononcim për “Bota sot”.

Ai beson se Serbia do të tentojë të përfitojë në çdo mënyrë nga situata e krijuar në Izrael, me qëllim të vazhdimit të projektit për “botën serbe”.

“Serbia do të tentoj që në çfarë do mënyrë të përfitojë një hapësirë për të vazhduar projektin e saj kundër rendit kushtetues të Kosovës dhe krijimin e botes serbe meqë nga data 24 shtator mund të nxirret përfundimi që shteti i Serbisë ka dështuar në misionin e saj diversant terrorist në territorin e Kosovës.

Do të jete normale që në kuadër të institucioneve të sigurisë të vendit të vendosen projeksionet e caktuara të bazuar në informacione dhe faktor të ndryshme për të paraqitur disa skenar të mundshëm se si po zhvillohet e gjithë ngjarja në atë pjese. Sepse lufta Palestinë/Izrael është fakt lufta në mese aleancës ruso-kineze kundër aleatit kryesor të SHBA që është Izraeli”, deklaroi eksperti i sigurisë.

Krahas kësaj, përmendi faktin se si përhapja e luftës në zona të tjera do i përshtatej politikave të Rusisë.

Ai përmendi edhe disa politika ruse ndaj vendeve të Evropës, përfshirë qasjen me Serbinë.

“Shpërndarja e luftës në zonat tjetra të interesit është e pritshme tani nga ana e strategjisë së Rusisë e cila është dëshmuar dhe argumentuar në librin “Themelet e Gjeopolitikës” të liderit gjeopolitik të Aleksandr Dugin të publikuar 1997.

Pra, aty jepen orientimet politike , diplomatike, ushtarake dhe ekonomike të Rusisë qoftë në: Evropë, Gjermani, Francë, kurse Rumania, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja serbe dhe Greqia duhet të bashkohen në një bllok me Moskën si Roma e tretë dhe të kundërshtojnë vlerat liberale perëndimore”, shpjegoi ai.

Po ashtu, ai tha se do ketë tentativa për përhapje të luftës në Ballkan, e kjo do shfrytëzohet në mundësin e parë.

“Për ata që nuk u besojnë dokumenteve, mjafton të rikujtojnë qe:

Serbët kishin Naçertanje si dokument gjeopolitik.

Grekët kishin Megalidheja si dokument gjeopolitik.

Pra tentativa do të jete në vazhdimësi të një lufte të mundshme në territorin e Ballkanit duke përdorur mundësin e luftës se parë që është ka zhvillohet në Izrael e tutje”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”.

Haziri: Lufta izraelito-palestineze, padyshim se mund të ketë ndikim në procesin e dialogut Kosovë-Serbi

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa, analisti politik, Nexhat Haziri tha se lufta mes izraelitëve dhe palestinezëve mund të ketë ndikim direkt në dialogun Kosovë-Serbi.

Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se për shkak të këtij konflikti, vëmendja e ndërkombëtarëve zhvendoset dhe tensionet në veri nuk janë më parësore për ndërkombëtarët.

“Lufta izraelito-palestineze që u ri ndez si pasojë e një sulmi terrorist të organizatës terroriste Hamas ndaj shtetit dhe qytetarëve të Izraelit, padyshim se mund të ketë ndikim në procesin e dialogut Kosovë -Serbi, pasi mund të zhvendoset vëmendja me e madhe e bashkësisë ndërkombëtare në këtë luftë të përgjakshme, ashtu siç është edhe vet historia e kësaj hasmërie në mes dy popujve dhe në përgjithësi rajonit të lindjes së mesme”, deklaroi analisti.

Sipas Hazirit, vetëm në dialog mund të ndikojë konflikti izraelito-palestineze, jo edhe në proceset politike të Kosovë dhe Serbisë.

“Përpos kësaj shpërqendrimi i vëmendjes nga bashkësia ndërkombëtare në një masë ndaj procesit të dialogut Kosovë -Serbi dhe marrëdhënieve në mes dy fqinjëve ballkanik, dhe kthimi i vëmendjes në lindjen e mesme, nuk shoh tjetër ndikim që do të ketë lufta e Izraelit kundër organizatës terroriste Hamas në proceset politike në Kosovë, me theks të veçantë në veri të vendit dhe në raport me Serbinë”, theksoi ai.

Ndër të tjera, kërkoi kujdes nga institucionet e Kosovës, pasi paralajmëroi se shteti serb mund të tentojë sërish me skenarët e saj të nxisë konflikt në veri.

“Sa i përket asaj se a duhet të jemi të kujdesshëm, natyrisht se po pasi edhe pa këtë konflikt në lindje të mesme, grupe kriminale në veri të vendit që mbështeten edhe nga Beogradi zyrtar, e kanë për synim permanent destabilizimin e rendit dhe sigurisë në këtë pjesë të republikës tonë, që përmes dhunës ta ndryshojnë agjendën e dialogut Kosovë-Serbi me kërkesat e tyre që shkojnë deri të ndarje e Kosovës në baza etnike. Por, nuk është vetëm veriu i vendit që institucionet e sigurisë dhe ligj zbatuese duhet ta kenë një kujdes më të shtuar, lufta në mes Izraelit dhe organizatës terroriste Hamas, do të duhet që institucionet kosovare të sigurisë t’i kenë nën llupën e tyre edhe aktivitetet e organizatave e individëve të ndryshëm fetar, sidomos për ta ndaluar çdo tentativë për t ‘na i dëmtuar interesat dhe marrëdhëniet miqësore e ndërshtetërore që ka Kosova me Izraelin”, përmbylli Nexhat Haziri për “Bota sot”