Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Radoiçiq heq dorë nga pronësia e kompanive në Serbi

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, që ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, ka hequr dorë nga pronësia e kompanive në Serbi, u tha në ueb-faqen e Agjencisë për Regjistrat e Bizneseve të Serbisë (APR).

Siç u tha në njoftim, Radoiçiqi ka transferuar 40 për qind të aksioneve të tij që kishte në pronësi te kompania Inkop, përkatësisht te partnerët e tij të biznesit, vëllezërit Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq.

Inkop ka në pronësi disa kompani simotra që në të kaluarën kanë fituar tenderë nga buxheti i Serbisë, por edhe pasuri të tjera sa i përket pajisjeve dhe pronave të paluajtshme.

Sulmi në Banjskë nga Serbia nuk po trajtohet si akt terrorist dhe Millan Radoiçiq nuk është akuzuar për vrasjen e policit kosovar, Afrim Bunjaku, gjatë paraqitjes para Zyrës së Prokurorisë së Lartë në Beograd.

Në mesin e krimeve për të cilat ai dyshohet se ka kryer janë shkaktimi i rrezikimit të publikut dhe posedimi i paligjshëm i armëve.

Radoiçiq dhe vëllezërit Vesellinoviq janë nën sanksione të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar. Por, Serbia ka thënë se nuk e ka obligim ndërkombëtar që t’i respektojë këto masa ndëshkuese.

Ata u vendosën nën sanksione të SHBA-së në dhjetor të vitit 2021 nën dyshimet për krim të organizuar dhe korrupsion./rel