Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Von Cramon s’jep detaje për “masat ndëshkuese” ndaj Serbisë: Topi është në fushën e Beogradit – duhet të godasim regjimin e Vuçiqit

 
   

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE), Viola von Cramon, në një intervistë për gazetën serbe “Nova”, ka përsëritur se tashmë janë “skicuar” disa nga “masat ndëshkuese” ndaj Serbisë për shkak të dyshimeve se është përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.

“Nuk mund të jap detaje, sepse është ende konfidenciale dhe diskutimet janë në vazhdim. Megjithatë, atë që kam thënë për disa media më herët, mund ta konfirmoj tani – masat janë vërtet në tavolinë dhe topi është në fushën e Serbisë”, ka nënvizuar eurodeputetja gjermane.

Ajo ka theksuar se vendosja e “masave ndëshkuese” ndaj Serbisë varet nga bashkëpunimi i plotë dhe i pakushtëzuar i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në hetimin e sulmit terrorist në Banjë, ndonëse Qeveria e Kosovës ka prezantuar në baza ditore materiale që implikojnë shtetin serb në sulmin e armatosur.

“BE-ja ka, përafërsisht, dy pika kryesore për Serbinë – paratë dhe regjimin e udhëtimit pa viza për qytetarët serbë. Rivendosja e vizave do të prekte më së shumti qytetarët e thjeshtë dhe kjo është arsyeja pse në përgjithësi jam kundër. Duhet të godasim aty ku do të dëmtojë regjimin në pushtet– dhe ky është reduktimi i parave nga fondet e BE-së”.