Të gjitha fluturimet në aeroportin Luton në Britaninë e Madhe janë pezulluar dhe njerëzve u është kërkuar të mos udhëtojnë atje, pasi një zjarr i madh shpërtheu në një parking të terminalit. Qindra njerëz tani janë të bllokuar në Luton, pa asnjë mënyrë për të shkuar në shtëpi.
Shërbimi zjarrfikës njoftoi se në parkingun e makinave mund të kenë qenë rreth 1200 automjete, të cilat janë dëmtuar.
Katër zjarrfikës dhe një anëtar i stafit të aeroportit u dërguan në spital, për shkak të asfiksisë nga tymi.
Fluturimet janë pezulluar deri në orën 12:00 për sigurinë e pasagjerëve dhe stafit. Aeroporti tha se një zjarr në makinë ishte përhapur pa dhënë detaje të mëtejshme. Pamjet e shpërndara në internet tregojnë flakë të mëdha dhe tym që fryn nga kati i fundit i ndërtesës.
Aeroporti Luton i Londrës është aeroporti i pestë më i madh në Mbretërinë e Bashkuar pas Heathrow, Gatwick, Manchester dhe Stansted, duke transportuar më shumë se 13 milionë pasagjerë në 2022./A2CNN