“Unë sa e marr rolin tim, gjithmonë e përqafoj, e dua më shumë se veten”
Luan Jaha një nga aktorët e kastit të filmit “Në kuadër të dashurisë”, ka qenë i ftuar nënë studion e “Live From Tirana”.Me një karrierë mjaft të suksesshme ndër vite, Luani gjatë kësaj interviste ka folur më shumë për përjetimet e tij dhe për personazhin që luan në film.
Në film ai quhet Xhevi dhe është një baba më i fokusuar te qejfet dhe më pak i përqendruar te problemet e djemve të tij.“Ai i kthehet më shumë vetes. Tani vjen një kohë që duhet të shpalosen ato dëshira që i ka mbajtur të ndrydhura brenda vetes në rini. Këtu është komikja e rolit. Unë sa e marr rolin tim, gjithmonë e përqafoj, e dua më shumë se veten. I adhuroj rolet, i përkëdhel. Jam pak i papërgjegjshëm si natyrë, por në role kjo më bën ndryshe. Ky është një rol që i ka ndrydhur dëshirat e veta dhe tani i kthehet atyre”, tha Jaha, i cili shtoi se nuk ngjason aspak me të në jetën reale.
Ndërsa i pyetur nëse ka një moment nga filmi që i ka ngelur pak peng, aktori i njohur u shpreh:
“Ka qenë skena e takimit një mëngjes. Ka qenë aty familja e miqve, pra Ndriçimi, Zamira, Olta, dhe unë dal nga banja pa parë se aty ka njerëz dhe unë dal lakuriq. Ajo është e bukura, aty doja të vdisja duke qeshur, por e mbajta veten. Më dhimbset që nuk ka dalë, por kanë nxjerrë nektarin e filmit”.