Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar sot se Prokuroria është duke e ndjekur ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq për të gjitha krimet që ai i ka pranuar.
Sipas Vuçiqit, aktakuza ndaj Radoiçiqit do të ngritet dhe ai do u përgjigjet të gjitha pyetjeve.
“Hetimi do të vazhdojë, aktakuza do të ngrihet dhe ai do t’i përgjigjet të gjitha pyetjeve. Hetimi është duke u zhvilluar, unë nuk jam as gjykatës e as prokuror”, tha Vuçiq, raporton “B92”.
Radoiçiq kishte pranuar se qëndron prapa grupit që kreu sulm terrorist në Banjskë më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri i Kosovës, Afrim Bunjaku.
Gjykata e Lartë e Serbisë më 4 tetor ka liruar Milan Radoiçiqin një ditë pasi e arrestoi. Atij i është konfiskuar pasaporta dhe i është ndaluar shkuarja në Kosovë.
Ai po ashtu është i detyruar që me data 1 dhe 15 të çdo muaji të paraqitet para një stacioni policor në Beograd. /Teve1.info/