Numri i palestinezëve që kanë humbur jetën nga sulmet e Izraelit në Rripin e bllokuar të Gazës është rritur në 1.100.
Në një deklaratë me shkrim të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, thuhet se 1.100 persona, mes tyre 171 gra dhe 326 fëmijë, kanë humbur jetën dhe 5.339 persona, përfshirë 744 gra dhe 1.217 fëmijë, janë plagosur në sulmet e Izraelit në Gaza që nga 7 tetori.
Në një përshkallëzim dramatik të tensioneve në Lindjen e Mesme, forcat izraelite kanë nisur një fushatë të vazhdueshme dhe të fuqishme ushtarake kundër Rripit të Gazës, në përgjigje ndaj një ofensive ushtarake të grupit palestinez Hamas në territoret izraelite.
Konflikti filloi të shtunën kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë” kundër Izraelit, një sulm i befasishëm i shumanshëm duke përfshirë një breshëri raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit, për të cilin Hamasi tha se ishte në hakmarrje për bastisjet e Izraelit në Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunën në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve, transmeton Anadolu.
Në përgjigje të veprimeve të Hamasit, ushtria izraelite nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës. Përgjigja e Izraelit është shtrirë në ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që është përfshirë nga një rrethim paralizues që nga viti 2007.