Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kusari-Lila: Absurde kur opozita akuzon VV-në për “fshehje të hajnisë” në rezervat shtetërore

“Është absurde kur dëgjoj se përfaqësuesit e opozitës thonë se ‘Vetëvendosje po tenton ta mbulojë hajninë e rezervave shtetërore’,  deklaroi kështu, Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Madje, Kusari-Lila, thotë se inicimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës për të themeluar Komisionin Hetimor për rezervat shtetërore, u bë vetëm për të deklaruar se ata duan të bëjnë zbërthim të përgjithshëm të tërë procesit.

“Është absurde kur i dëgjoj deklaratat e përfaqësuesve të opozitës, kur thonë se ‘Vetëvendosje po dëshiron ta mbulojë hajninë e rezervave shtetërore, prandaj nuk po vini në Komisionin Hetimor’. Arsyetimi apo argumentimi kryesor i Lidhjes Demokratike të Kosovës si inicuese e këtij komisioni, nuk ka qenë për të zbuluar hajninë, por ata kanë deklaruar se duan të bëjnë një zbërthim të përgjithshëm të procesit, përfshirë këtu Ligjin për Rezervat Shtetërore, përfshirë furnizimin me rezerva shtetërore. Pastaj, për konsum ditor politik, deputetët e po të njëjtave grupe, të LDK-së, PDK-së e AAK-së, deklarojnë në konferenca e intervista, se kinse po duam ta mbrojmë hajninë”, deklaroi Kusari-Lila.

Kujtojmë se Lidhja Demokratike e Kosovës, ka iniciuar themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për procedurat e furnizimit dhe menaxhimit të rezervave shtetërore.

Kjo nismë erdhi pas arrestimit të dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe të një biznesmeni lidhur me furnizimin me grurë dhe vaj ushqimor për rezervat shtetërore të vitit 2022.

Konstitutimi i këtij komisioi ka dështuar, pasi deputetët e pozitës nuk kanë marrë pjesë në mbledhje.