Ministri serb i Mbrojtjes Millosh Vuçeviq ka deklaruar se “nëse do të kishte një urdhër të tillë, ne do të hynim në Kosovë dhe “do të rifitonim sovranitetin”. Kjo do të bëhej nga ushtria jonë në mënyrë efikase, të përgjegjshme dhe të suksesshme”.
Ai gjithashtu ka pretenduar se ministria e tij është duke përgatitur një përgjigje “shumë profesionale” ndaj pretendimeve të Kosovës për sekuestrimin e armëve dhe pajisjeve pas sulmit terrorist ndaj Kosovës.
“Për të ekspozuar dhe mohuar pretendimet se kjo ka qenë diçka që ka dal nga magazinat e Forcave të Armatosura të Serbisë, se ushtria jonë ka marrë pjesë në armatosjen e këtij “grupi të serbëve” në veri të Kosovës. Këtë do ta përcjellim përmes kanaleve diplomatike në të gjitha përfaqësitë tona diplomatike dhe konsullore në mënyrë që ato të kenë një përgjigje adekuate ndaj pretendimeve të Kurtit”, ka thënë Vuçeviq për B92.
Ai ka thënë se Serbinë presin ditë të vështira sepse në “disa vende ka skifterë” që mendojnë se Serbia duhet të dënohet, por beson se lideri i tij suprem “ka një aktivitet të mirë diplomatik për ta mbrojtur vendin nga pasojat e mundshme negative”.
Duke folur për aktivitetet diplomatike të kësaj ministrie, ai ka deklaruar se “disa bashkëbisedues më së shumti frikohen” se sa pjesëtarë të ushtrisë serbe janë të vendosur në Zonën e Sigurisë Tokësore përgjatë “vijës administrative”, siç e quan ai kufirin në mes të dy shteteve, dhe nëse ushtria është duke u përgatitur për diçka”.
“E thashë shumë qartë – nuk kemi ndërmend të bëjmë asgjë fshehtas, nëse do të kishte një urdhër të tillë, ne do të hynim në Kosovëdhe “do të rifitonim sovranitetin”. Kjo do të bëhej nga ushtria jonë në mënyrë efikase, të përgjegjshme dhe të suksesshme, duke respektuar të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare të luftës”, ka pretenduar Vuçeviq, duke menduar se me këtë propagandë po e mashtron publikun e brendshëm.
Megjithatë, siç ka thënë ai, “ky nuk është një skenar i mirë për ne, nuk kishte nevojë ta bëjmë këtë dhe shpresoj se nuk do të ketë nevojë”.