Një turiste 31 vjeçe nga Gjermania ka humbur jetën aksidentalisht në zonën e Thethit. Dyshohet se turistja po bënte hiking në Malin e Harapit sipër Okolit në Theth.
Viktima ndodhet ende mes shkëmbinjve në pritje të forcave të policisë për ta tranportuar në morg.
Njoftimi i policisë
Mesditën e sotme, salla operative e Komisariatit të Policisë Shkodër ka marrë njoftim nëpërmjet një telefonate se shtetasja gjermane R. P., 31 vjeçe, duke u ngjitur në mal, bashkë me një shtetas tjetër gjerman, në vendin e quajtur “Shpella e Harapit”, Shalë, Shkodër, kishte rrëshkitur dhe kishte rënë në greminë.
Si pasojë e dëmtimeve, kjo shtetase ka humbur jetën.
Shërbimet e Policisë janë nisur në vendin e ngjarjes, bashkë me shërbime të specializuara, për të nxjerrë trupin e pajetë të kësaj shtetaseje, nga terreni i vështirë malor ku ka rënë.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.