Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sanksione apo ledhatim: Çfarë do të çojë në Beograd “pesëshja e madhe”?

Më 21 tetor BE-ja, ShBA-ja, Gjermania, Franca dhe Italia pritet t’i dërgojnë përfaqësuesit e tyre në Kosovë dhe Serbi, pas sulmit terrorist serb në Banjskë të Zveçanit. Synimi i tyre është shuarja e “zjarrit” mes palëve dhe nxitja e zbatimit të marrëveshjes bazike. Mirëpo, njohës serb të procesit të dialogut nuk presin sanksione për Serbinë shkaku i kompromisit që kërkohet në proces. Kurse në Prishtinë, ka vlerësime tjera.

Miroslav Lajçak do të nisë javën e ardhshme misionin për të shuar një tjetër valë tensionesh mes Kosovës dhe Serbisë.

Por kësaj radhe, me vete do të marrë edhe përfaqësuesit e ShBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

Kureshtar se çfarë do të dërgojë “Pesëshja e madhe” në Beograd është edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas sulmit terrorist të grupit serb në Banjskë.

Mirëpo, analisti serb, Ljubomir Stanojkoviq nuk pret ndonjë pako sanksinohesh ndaj shtetit serb, pasi thotë se Vuçiqi u duhet ndërkombëtarëve te pjesa e kompromisit në dialog.

“Me vëmendje të madhe pritet ky takim ndërmjet Vuçiqit dhe kësaj pesëshe. Çka do të diskutohet gjatë këtyre takimeve, normalisht nuk do të ketë aty bisedë të thjeshtë, as tregim të thjeshtë, do të flitet për shumë gjëra. Me siguri një nga temat kryesore do të jenë të gjitha ato që kanë ndodhur në Banjskë, kush është fajtor, kush është shkaktar për të gjitha këto, pse është dashur të ndodhte gjithë kjo, pra pasojat e të gjitha këtyre”, ka deklaruara ai.

Megjithatë, Stanojkoviq thotë se është e vështirë që Vuçiq të shpëtojë pa ndonjë pasojë.

Çështja e masave të mundshme, sipas njohësit tjetër të dialogut, Arbër Fetahu mund të jetë pjesë e takimit të 21 tetorit mes pesë përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe Vuçiqit.

Por, Fetahu thotë se vizita e emisarëve është tentim i tyre për të shuar zjarrin në raportet mes palëve dhe rikthimin e tyre në tryezën e diskutimeve.

“Rrafshi i dytë që mund të shihet te vizita është ndoshta edhe kërkimi i një lloj përgjegjësie politike, ndoshta edhe penale e sulmit të 24 shtatorit në veri të Kosovës, ndoshta të kuptohet më thellë edhe gjithë çfarë ka ndodhur, ndonëse nuk është diçka që do të pranohet nga presidenti i Serbisë. Por ndoshta edhe më në thellësi të shikohet se ku qëndron Serbia në raport me Kosovën”, ka thënë ai.

Aktualisht, nuk ka informacion të konfirmuar se pesëshja ndërkombëtare do ta vizitojë Kosovën, pas Qeveria nuk ka kthyer përgjigje.

Mirëpo, Fetahu vlerëson se kthimi në dialog nuk mund të bëhet pa kushte dhe duke u paraqitur sikurse në terren nuk ka ndodhur asgjë.

“Po shpresoj që Qeveria e Kosovës dhe presidentja dhe institucionet bartëse të pushtetit ta kenë një dialog dhe diplomaci proaktive, një ofenzivë me qendrat kryesore të vendimmarrjes, duke e konstruktuar pozicionin të asi lloji që nuk jemi në parim kundër dialogut, por nuk mund të ketë dialog pa një qartësi për shkak të implikimeve të tjera të mundshme edhe në të ardhmen”, ka thënë ai.

Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel që nuk solli rezultate u mbajt më 14 shtator, vetëm 10 ditë para se të ndodhte sulmi terrorist nga grupi i armatosur serb kundër Kosovës.