Vrasja e Regis Runaj, në 29 korrik 2019 është vlerësuar në gjykatën e Posaçme SPAK, si një nga ngjarjet më të rënda dhe më makabre, të kryera nga grupi i Erjon Alibej dhe Nuredin Dumanit.
Kjo vrasje mund të krahasohet denjësisht me krimet shtazarake të organizatës terroriste ISIS, pasi trupi i të riut Runaj, është masakruar me mbi 100 goditje thike, duke lënë i pajetë mes një pellgu gjaku. Tabelat fotografike që ndodhen në dosje tregojnë viktimën të masakruar.
Runaj, është vrarë para derës së një Teqeje Bektashiane në Elbasan, teksa udhëtonte me motor së bashku me Euglen Halilin. Urdhërin e vrasjes së Runaj e ka dhënë Erjon Alibej (Krymi), i cili ka paguar Xhuljano Hoxhën me 30 mijë euro. Ndërsa pjesëmarrës në krim është dhe Euglen Halili.Dy ditë më parë Halili u shpall fajtor dhe u dënua për këtë vrasje dhe ekzekutimin e Emiljano Ramazanit me burgim të përjetshëm.
Por për shkak të statusit të bashkëpunëtorit të SPAK, ai është dënuar përfundimisht me 17 vite burgim. Ndërsa personi tjetër Xhuliano Hoxha, është deklaruar fajtor dhe dënuar me burgim të përjetshëm.
Sipas “Ora News”, masakrimi me mbi 100 goditje thike i Regis Runaj, kishte ardhur vetëm pas dyshimeve të Arjan Spahisë, se Runaj dhe Emiljano Ramazani, kishin ndjekur në disa momente në Elbasan, Arjan Spahinë.
Veç të tjerash, Erjon Alibej, Nuredin Dumani dhe Arjan Spahia, kishin dhe një arsye më të fortë se pse duhet të vritej Regis Runaj. Pasi ai ishte djali i dajës së Mikael Qoses, alias “Keli i Kicit”, lidhje shumë e ngushtë e vëllezërve nga Dubai.
Sipas dëshmisë së Erjon Alibej, tashmë i kthyer në i penduar i SPAK, Runaj ishte njëri i afërt, dhe i besuar i Mikael Qoses që bënte shumë punë të Mikaelit, Ervis Dakës alias Drakoviçit dhe atyre të Dubait.
Edhe nga Ariani më është shpjeguar se Regis Runaj bashkë me Emiljano Ramazanin kanë ruajtur, kanë ndjekur, kanë vëzhguar Arian Spahiun. Dua të them që Arian Spahiu ka qenë i interesuar për të vrarë si Emiljano Ramazanin ashtu dhe Regis Runajn, gjithashtu dhe Ervis Dakën alias Drakoviçin.
Para se të ndodhte ngjarja e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt, ka ardhë dhe më ka takuar Xhulian Hoxha të cilin e kam takuar tek garazhi im, tek pallati ku jetojnë familjarët e mi aktualisht.
Mbaj mend që Xhulianon e kam takuar dhe kam komunikuar për herë të parë në muajt qershor-fillim korriku të vitit 2020…. Dua t’ju them që në kontakt me Xhuliano Hoxhën më ka vënë Endri Karaj.
Xhuliano Hoxha, ka qënë person i brendshëm i lidhjeve të afërta të Mikael Qoses, familjes së tij, por edhe shoqërinë e afërt të tyre në Elbasan. Njohje shumë të afërta tek vëllezërit Ramazani (Emiljano dhe Mani), që i njihte të gjithë këto dhe i rritur në lagjen e tyre.
Xhuliano, në këtë takim më ka shpjeguar personat që i shërbenin Mikael Qoses dhe vëllezërve Franci dhe Hajdar Çopja, që disa që më përmendi unë i dija se çfarë përfaqësonin dhe që i shërbenin këtyre që sapo përmenda. Kurse disa të tjerë që më foli Xhuliano, nuk i dija.
Për Mikael Qosen më ka thënë që:
”…kur kam qenë i vogël, Mikael Qose më ka detyruar të vjedh lekë tek dyqani i babait dhe t’ia jepja atij, më ka detyruar shumë herë të bëja diçka të tillë. Nuk do t’ia harroj derisa të vdes. Ato kanë ik në Dubai, kanë ik jashtë shtetit, nuk vijnë më. Por në qoftë se Mikaeli vjen në Shqipëri, unë do t’ia numëroj në kokë atij. Më beso që njeriu më i afërt që i bën punët që ai ka më shumë besim është Regis Runaj, që i shpërndan rrogat këtyre…”.
Në atë takim Xhuliano, më ka thënë:
”…kushëriri i Mikael Qoses, Regis Runaj, është njeriu që i shërben së tepërmi atij. Ai është gjatë gjithë kohës aktiv, vjen dhe k’tu tek lagjia jote, shpesh dhe rrin gjatë gjithë kohës në lëvizje. Kur vjen këtu tek lagjia jote takohet shpesh me Krista Mikën. Në 2-3 raste e kam parë vetë me sytë e mi që i ka dhënë zarfe, që mund të ketë patur lekë në këto zarfe. E kam shumë të kollajtë dhe të thjeshtë ta vras atë. Kam dhe një shok timin që e kam si vëlla…”.
Kur më fliste për këtë personin që e kishte si vëlla, unë nuk e njihja në fillim, por kohë më pas e kuptova që bëhej fjalë për Euglen Halilin, që emrin dhe mbiemrin e tij e mësova kur u arrestua për vrasjen e Regis Runajt.
“…nuk i mbaj mend të gjithë emrat që më ka përmendur, por emra të tjerë që më ka përmendur Xhuliano dhe që më ka shpjeguar dhe detaje në lidhje me këta persona si lidhje të vëllezërve Çopja dhe Mikael Qoses, ndër këta persona ishin 3 djemtë e Abedin Mamës, i cili më aktivi nga këto është Domeniko Mama (më i vogli nga vëllezërit). Kurse djali më i madh i Abedin Mamës, që e thërrasin “Memeci” që quhet Gëzim Mama takohej shpesh me Regis Runaj, ku në dy raste kanë ndyshuar makinat me njëri-tjetrin, për t’mos rënë në sy për të mbuluar lëvizjet që bënin.Këtë mund ta kënë bërë dhe për të mbledh informacione për familjarët e mi…”-deklaron Erjon Alibej.
Më tej ky i fundit i ka treguar prokurorëve të SPAK,se:
“…Xhuliano më ka thënë dhe për Abedin Mama (Dine Çami) ose (Xhaxhi) është njeriu kryesor që siguron mbrojtjen në shtet. unë e pyes “…ç’ne? qysh…?’, dhe ai më thotë:”…Dine Çami, dihet se ka lidhje të forta në polici, prokurori, dhe gjykatë…”, por nuk më ka thënë ndonjë detaj apo emër edhe pse unë e pyeta. Më ka përmendur dhe vëllezërit Ramazani, Emiljano Ramazanin (Ilin) dhe vëllain e tij që njihet si Mani. Xhuliano më ka përmendur dhe Elio Bitri, për të cilin unë e kisha të konfirmuar shumë kohë më përpara.
Ndër këta persona që unë s’kisha dijeni më ka përmendur kunatin (burrin e motrës) së Mikael Qoses, emri i tij nuk më kujtohet. Ky person është pjesë e grupit shoqëror të Mikael Qoses. Person tjetër që Xhuliano, më ka përmendur është kushëriri i Mikael Qoses, emrin nuk ia mbaj mend, ky e kishte shtëpinë afër hotel “Universit”, për të cilin Xhuliano, më tha që ky personi rri tek lagjia ku banoj unë dhe vëzhgon çdo gjë. Më ka thënë dhe emra të tjerë, por ka kaluar shumë kohë dhe nuk i mbaj mend që ti përmend.
I kam thënë Xhulianos që më bëj një listë, më shkruaj emrat e këtyre dhe ma sill. Xhuliano më ka sjellë këtë listë me emra, disa kohë më pas takimit të parë. Këtë listë ia kam vënë në dispozicion dhe oficerit të policisë, Leonard Palushit, nuk mbaj mend mirë sesi ia kam dërguar në foto apo të shkruar si mesazh, por ia kam dërguar në telefon me aplikacion “Ëhatsapp” ose “Signal”.
Në këtë listë ka patur dhe emra të punonjësve të policisë që kishin lidhje me vëllezërit Çopja, si dhe Mikael Qosen. Emrat e këtyre punonjësve të policisë aktualisht nuk i mbaj mend. Këtë listë ia kam vënë në dispozicion Leonard Palushit, që policia të hetonte këta persona dhe të parandalonte krime të radhës ndaj familjes time.
Xhulianon, e kam pyetur nëse punonte dhe më ka thënë që nuk punonte dhe se donte të angazhohej gjithë kohës, në dispozion për çfarë unë do të kisha nevojë. Xhuliano, në takim këmbëngulte vazhdimisht shumë për të vrarë Regis Runajn dhe më ka thënë “…që dua 30.000 Euro për të vrarë Regis Runajn…”. Xhulianos i thashë: “…lëre Regisin, dua të përkushtohesh për çdo gjë që bëjnë këta, Iëvizjet, personat, informacione të rëndësishme, mundohu të futesh akoma dhe më thellë tek lokali tek “Dine Çami”, tek lokali tek “Mani” (lokali Merlon), tek lokali tek “Drakoviçi”, dhe në çdo vend që rrijnë këta, dhe të më japësh informacion për çdo gjë…”. Xhulianos nuk i kam dhënë asnjëherë pagesë prej 30.000 Euro për vrasje…
…Atë ditë që jam takuar me të më ka thënë që ishte në hall shumë të madh, që kishte shumë të sëmurë bashkëshortën dhe më ka kërkuar 8.000 Euro borxh. Unë i kam dhënë në takim 8000 Euro, i kam dhënë dhe një telefon të kriptuar dhe i kam thënë:‘…nuk ke punë me asnjë në lidhje për të vrarë, por do marrësh vesh çdo gjë që ka të bëjë me aktivitetet e tyre…”.
Xhuliano më ka dërguar informacione nëpërmjet telefonit të kriptuar, por edhe në takim me të. Një pjesë të madhe të informacioneve i konfirmoja dhe nga Ardian Çollaku, për të cilat kam dhënë shpjegime dhe më përpara, person ky që mbeti i vrarë në Elbasan së bashku me një person tjetër.
Në ditët në vazhdim i kam thënë Xhulianos:”…a ke mundësi të më montosh disa kamera shtesë tek pallati jot”, pasi dua ti kem nën kontroll kamerat dhe aq më tepër dhe ti të kesh kontroll familjen tënde, por në të vërtetë unë nuk doja të kontrolloja Xhulianon, por doja të kisha nën kontroll pamjet për siguri të fëmijëve dhe nuses së Nuredinit që jetonin tek i njëjti pallat me Xhulianon. Sepse kam pas një merak shumë të madh për to.
“…në takime të ndryshme me Xhulianon, herë pas herë Xhuliano më kërkonte shuma lekësh për shpenzime dhe për borxhe që më thoshte se ai kishte. Pasi i kisha dhënë 8000 Euro dhe lekët e kamerave që përmenda më sipër, në atë kohë, me aq sa kisha mundësi i jepja shuma parash që varionin nga 500 Euro deri në 2000 Euro, që në total mund të kenë qënë diku rreth 10.000 Euro…”
Pak ditë pas vrasjes së Emiljano Ramazanit kam komunikuar me Nuredinin pasi ka qenë në dijeni për disa veprime të Regis Runajt, që i kam shpjeguar dhe më përpara që kanë të bëjnë me ndjekjet, vëzhgimet të Arian Spahiut dhe marrëdhëniet që Regis Runaj kishte me Mikael Qosen dhe Ervis Dakën (Drakoviçin).
Nuredinit i kam thënë çfarë mendon për këtë kushëririn e tyre, për këtë të voglin?. Nuredini më thotë:”…thuaji ta mbarojnë atë…” edhe pse unë në shumë raste si Nuredinit dhe Arianit, u kam pas thënë që për këta persona si Regisi, si Emiljano Ramazani, si Ervis Daka nuk duhet të ekzekutohen, se i bie të bëhet një zhurmë shumë e madhe në qytet, ku ka njerëz shumë më të rëndësishëm për momentin sesa këto, dhe kur thoja që ka njerëz më shumë më të rëndësishëm e kisha për vëllezërit Çopja (Francin dhe Hajdarin), Talo Çelën, dhe Mikael Qosen.
Pas komunikimit me Nuredinin në lidhje me Regisin i shkruaj Xhulianos në telefon të kriptuar i them Xhulianos:”…vazhdo me Regisin…, Xhuliano më kthen përgjigje “…Ok vëlla…”, dhe me të nuk kam komunikuar më, deri në ditën kur dëgjoj në radio që kisha frekuenca të policisë se çfarë kishte ndodh, mund të ketë qenë pas 2-3 ditësh pasi kisha komunikuar me të.
…Pas ngjarjes komunikova me të në telefon të kriptuar dhe më tha:”…do largohem dhe do iki disa ditë në plazh…”, dhe kjo ka qenë atë natë që kishte ndodh ngjarja.
…të nesërmen e ngjarjes, kam marrë vesh nga mediat, sesi ishte vrarë Regis Runaj, që ishte masakruar me thikë shumë herë, kam komunikuar me Xhulianon dhe e pyes: “…çfar ke bërë kështu…?, dhe më thotë:“…e meritonte ai, më iku truri…”, i shkruaj dhe i them:”…si more të iku truri…?
…mbaj mend që pas disa ditësh pas vrasjes ishte thirrur në polici. Pasi ka dalë nga policia i kam kërkuar që të vinte dhe të më takonte dhe më ka shpjeguar se e kishte bërë Xhuliano vrasjen e Regisit dhe jo Eugleni….
…Xhuliano më shpjegoi se kur ishte në komisariat, aty kur po e merrnin në pyetje në komisariat, ka ardhur motra e Regis Runaj dhe i ka thënë Xhulianos:”…o Xhulio, ke të fala nga Keli (Mikael Qose) dhe më tha Keli që të të them hap gojën sa lek do dhe mos ki merak dhe fol për Erionin…”.
“…Nuk mbaj mend më gjatë për çfarë kam biseduar tjetër, por mbas disa ditësh apo të nesërmen pas takimit, u arrestua dhe Xhuliano Hoxha dhe mandej edhe unë…”-ka treguar Erjon Alibej.