Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci priti sot në takim ambasadorin e ri të Austrisë në Kosovë, George Schnetzer.
Në një komunikatë për media thuhet se Nagavci i uroi mirëseardhje ambasadorit Schnetzer, duke theksuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve në fushën e arsimit.
Nagavci falënderoi Qeverinë e Austrisë për ndihmën që ka dhënë në vazhdimësi përmes projekteve të ndryshme në sektorin e arsimit sidomos në ndërlidhjen e arsimit profesional dhe arsimit të lartë me tregun e punës.
Ndër të tjera, ministrja foli edhe për marrëveshje ndërmjet dy vendeve, të cilat parashohin zbatimin e programeve, të cilat kontribuojnë në qeverisjen më të mirë, cilësinë, ndërkombëtarizimin dhe efikasitetin e arsimit të lartë, si dhe në përafrimin e arsimit të lartë me tregun e punës.
Ndërsa, ambasadori Schnetzer tha se Qeveria e Austrisë do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën përmes programeve të ndryshme, si një nga donatorët më të mëdhenj, në fushën e arsimit në Kosovë.