Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Bislimi: Ngjarjet e Banjskës shpërfaqën objektivat e Serbisë për destabilizimin e rajonit

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, priti sot në takim zëvendës drejtorin për Evropë i Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) të BE-së, Marko Makovec.

Makovec shprehu ngushëllimet e tij për vrasjen më 24 shtator në Banjska të Zveçanit të rreshterit të Policisë së Kosovës, tashmë Hero i Kosovës, Afrim Bunjakun. Po ashtu, ai vlerësoi lart profesionalizmin, maturinë e menaxhimin e situatës nga Policia e Kosovës.

Në takim u diskutua më hollësisht rreth këtij agresioni terrorist, paramilitar e kriminal, ku zëvendëskryeministri Bislimi e informoi Makovec rreth detajeve të këtij operacioni që shpërfaqin objektivat e Serbisë me synim në destabilizimin e rajonit.

Gjithashtu në takim u bisedua dhe mbi pritshmëritë në kuadër të agjendës së integrimeve evropiane.

Bislimi theksoi se Kosova e vlerëson lart iniciativën e Komisionit të BE-së për planin e ri për zgjerim.

Në takim u theksua dhe se procesi i integrimit evropian duhet të jetë i bazuar në meritokraci dhe të ofrojë instrumentet e barabarta për të gjitha shtetet, me qëllim avancimin e agjendës evropiane e përmbushjen e reformave, thuhet në komunikatë.