Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Mijëra myslimanë vërshojnë rrugët në Lindjen e Mesme në mbështetje të Gazës

Dhjetëra mijëra myslimanë kanë marshuar të premten përreth Lindjes së Mesme në mbështetje të palestinezëve dhe kundër bombardimeve të intensifikuara të Izraelit, duke theksuar rrezikun për konflikt më të gjerë teksa Izraeli përgatitet për pushtim tokësor.

Nga rrugët e qeta të Jordanisë te kryeqyteti i shkatërruar nga lufta i Jemenit, turma të besimtarëve myslimanë u dyndën rrugëve pas faljes së xhumasë, të zemëruar nga sulmet ajrore të Izraelit mbi Gazën që filloi pasi grupi militant Hamas nisi sulm befasues në Izrael të shtunën, raportoi AP.

Në xhaminë Al-Aksa në Jerusalem, policia izraelite lejoi vetëm disa burra të moshuar, gra dhe fëmijë të hynin në kompleksin për lutje. Vetëm 5,000 besimtarë arritën aty. Në një të premte tipike, rreth 50,000 besimtarë performojnë lutjen në këtë xhami.

Në Bejrut mijëra mbështetës të Hezbollahut valëvitën flamuj libanez, palestinezë dhe të Hezbollahut, duke thirrur slogane në mbështetje të Gazës dhe “vdekje për Izraelin”.

Në Bagdad, mijëra protestues u mblodhën në sheshin Tahrir të thirrur nga kleriku shiit Muqtaba al-Sadr.

Përreth Iranit, turma vërshoi rrugët pas lutjeve. Në Teheran dogjën flamuj të Izraelit dhe SHBA-së, duke thirrur: “Vdekje Izraelit”, “Vdekje Amerikës”.

Edhe në kryeqytetin sirian protestuesit u mblodhën.

Në Jemen njerëzit valëvitën flamujt e Jemenit dhe Palestinës nën sloganet: “Zoti është i madh; vdekje Amerikës; vdekje Izraelit; mallkuar hebrenjtë; fitore Islamit”.

Pas faljes së xhumasë, egjiptianët rrethuan xhaminë historike Al-Azhar duke thirrur se Izraeli mbetet armiku i tyre “gjeneratë pas gjenerate”.

Në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, disa besimtarë shkelën mbi flamujt amerikanë dhe izraelitë.