Emiljano Nina, i cili shkaktoi aksidentin në digën e Liqenit në Tiranë u arrestuar nga policia. Në dëshminë e tij ai theksoi se kishte konsumuar azot dhe se po lëvizte me 180 km/h.
I ftuar për të folur për këtë çështje në “Special Report” ishte eksperti i Sigurisë, Fatjon Softa. Gjatë kësaj interviste ai theksoi se është deklarata e të arrestuarit është e dyshimtë, pasi sipas Softës efekti i kësaj lëndë është për disa minuta dhe se duhet vërtetuar nëse është përdorur apo jo nga personi në fjalë.
“Është një nga substancat që kohët e fundit po përdoret nga rinjtë dhe mosha minorene. Sa i përket shëndetit ka efektet negative. Është një lëndë që është bërë e njohur për publikun dhe efektet që ka. Efektet janë të menjëhershme dhe nuk mbetet gjurmë pas një farë kohë. E ka përdorur këtë lëndë apo jo kjo është për t’u verifkuar, pasi efekti i saj është disa minuta. Fakti që personi në momentin që ka kryer aksidentin i ka kryer veprimet e tjera të mëpasshme, si heqja e targave të makinave, largimi nga vendi i ngjarjes mund të hedhë hije dyshimi se nuk besoj të jetë përdorur kjo lëndë në rastin e një aksidenti të tillë. Aq më tepër kur ky person ka qenë i proceduar edhe më parë. Këto janë lëndë që nuk lënë gjurmë janë më efekte të përkohshëm dhe jo me efekt të gjatë. Çdo lëndë e tillë e futur në trupin e personit krijon efekte sigurisht. Fushata që policia ka nisur është për lëndët narkotike në tërësi. Por edhe kjo duhet të klasifikohet si drogë sepse vetëm në këtë mënyrë mund të bëhet edhe ndalimi i saj”, tha ndër të tjera ai.