Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Ngjarja tragjike e terrorit e 24 shtatorit do të përsëritet”/ Zbardhen prapaskenat: Ja pse Vuçiq publikoi datën e zgjedhjeve në Serbi

Presidenti serb Aleksandër Vuçiq deklaroi se zgjedhjet në Serbi do të mbahen më 17 dhjetor, duke theksuar se në këtë mënyrë i ka plotësuar kërkesat e opozitës.

“Zgjedhjet do të mbahen më 17 dhjetor, me kërkesë të opozitës, ia kam plotësuar kërkesën, do të ketë zgjedhje parlamentare, të Beogradit dhe të Vojvodinës”, tha ai dhe shtoi se zgjedhjet duhet të shpallen më së voni deri më 2 nëntor.

E këtë paralajmërim të Vuçiqit për zgjedhje të reja parlamentare, e konsideron si manipulim Dr. Enver Bytyçi, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Bytyçi tha se këto zgjedhje të parakohshme Vuçiç i ka motivuar me protestat e opozitës kundër qeverisë së tij pas dy masakrave në dy shkolla të Beogradit muajt e shkuar.

“Me 17 dhjetor 2023 Serbia do të votojë për parlamentin e ri. Këto zgjedhje të parakohshme presidenti Vuçiç i ka motivuar me protestat e opozitës kundër qeverisë së tij pas dy masakrave në dy shkolla të Beogradit muajt e shkuar, ku humbën jetën 18 nxënës të moshës 12-14 vjeçare. Vuçiç është akuzuar nga opozitarët protestues për manipulim të informacionit, propagandë dhe kontroll të medieve në Serbi. Protestuesit kanë identifikuar pikërisht këto tipare të qeverisjes autoritare të presidentit dhe qeverisë serbe si shkak i urrejtjes dhe dhunës në shoqërinë serbe, sidomos te adoleshentët.

Parlamenti i Serbisë u zgjodh në prill të vitit 2022. Në këto zgjedhje shumicën dërmuese parlamentare e fitoi partia nacionaliste e ekstremit të djathtë e presidentit Vuçiç. Por mesa duket kreu i shtetit kërkon të forcojë akoma më shumë pozitat e tij në pushtet. Kjo është arsyeja pse ai shpalli zgjedhjet e parakohshme. Mediet ndërkombëtare venë në dukje se Vuçiç qeveris me mjete dhe metoda autoritare. Të njëjtën gjë thonë edhe kundërshtarët e tij politikë. Ai akuzohet se ka shtënë kontrollin e tij jo vetëm në medie, por edhe në drejtësi dhe administratën e shtetit. Duke kontrolluar institucionet e shtetit Vuçiç përndjek kundërshtarët e tij politikë”, ka thënë ai.

Megjithatë, profesori thotë se shumë ekspertë besojnë që shkaku kryesor i shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme është ngjarja e 24 shtatorit 2023 në Kosovë, kur grupi terrorist serb vrau një polic të Republikës së Kosovës dhe plagosi dy të tjerë.

“Qëllimi është që të shtyhet në kohë vendimi për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. Në optikën e Beogradit, sa më shumë të shtyhet kjo zgjidhje, aq më e favorshme do të jetë klima pro-Serbisë.

Zgjedhjet e parakohshme janë rutinë e ushtrimit të politikave mashtruese të Aleksandër Vuçiq. Sa herë ai është gjendur ngushtë në bisedimet me Kosovën, sa herë ka ngecur dhe nuk ka mundur të realizojë planet e tij, aq herë ai ka përdorur trukun e zgjedhjeve për t’i ikur dialogut. Edhe kësaj radhe veproi në të njëjtën mënyrë. Shpalli zgjedhjet parlamentare, me qëllim që të ngadalësojë procesin e dialogut me justifikimin se në proces zgjedhor e ka të pamundur “të bëjë kompromise”! Por nuk shpalli zgjedhjet presidenciale. Mesa duket këto zgjedhje i ka lënë rezervë për t’i shpallur në një kohë tjetër krize në marrëdhëniet e tij me Kosovën!”, ka theksuar Dr. Bytyçi për “Bota sot”.

Ai ka thënë se kjo metodë mashtruese është e përsëritur rishtazi dhe ndërmjetësit e dialogut e dinë faktin se si presidenti Vuçiç ka manipuluar procesin e vendimmarrjes!

“Megjithatë presidenti i Serbisë shpreson se me këto zgjedhje do të rritë presionin ndaj faktorit ndërkombëtar, me qëllim që vendi i tij të mos ndëshkohet me sanksione për shkak të implikimit të shtetit dhe strukturave të tij në aktin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit në veri të Kosovës. Madje, zvarritja e dialogut i krijon mundësi atij të parapërgatitet për provokime të reja kundër integritetit dhe sovranitetit shtetëror të institucioneve të Kosovës në këtë pjesë të territorit”, ka nënvizuar profesori.

Në këto kushte BE dhe SHBA, sipas Bytyçit nuk duhet dhe nuk mund të qëndrojnë indiferentë.

“Aq më pak t’u besojnë manipulimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Sanksionet duhen vënë në veprim dhe bisedimet duhet të vazhdojnë. Ndryshe ngjarja tragjike e terrorit e 24 shtatorit do të përsëritet dhe rendi, siguria e stabiliteti në rajon do të vihen në pikëpyetje!”, ka thënë ai.