Shefi i Zyrës së BE-së në Serbi, Emanuele Giaufret ka thënë se vendimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në Kosovë është hap pozitiv dhe ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të kthehen në dialog.
Giaufret ka thënë se duhet kthyer tek zgjidhjet politike dhe se pas vendimit të “Srpskas” ka potencuar se duhet vazhduar në drejtim të tillë.
“Duhet t’i kthehemi zgjidhjes politike. Pamë se Lista Serbe vendosi të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, që është një hap tjetër pozitiv dhe ne duhet të vazhdojmë në këtë drejtim”, ka deklaruar Giaufret ditën e tretë të Konferencës së Sigurisë në Beograd.
Ndryshe, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, u ka bërë thirrje autoriteteve në Kosovë që të shpallin sa më parë zgjedhjet për kryetarë dhe kuvende komunale në katër komunat në veri të Kosovës, duke thënë se ata janë gati të marrin pjesë në to.
Rakiq në një konferencë për media ka thënë se tani topi është në anën e Prishtinës, raportojnë mediat serbe.
“Është e nevojshme që këta kryetarë komunash dhe këtë këshilltarë komunal të rremë, joligjor dhe jolegjitim, që kanë muaj që ngacmojnë qytetarët tanë të japin urgjentisht dorëheqjen dhe të largohen, për të dalë nga godinat tona, sepse nuk janë përfaqësues të popullit tonë. Qëllimi i tyre i vetëm është të ngacmojnë shtetasit tanë”, është shprehur Rakiq.