Policia në portin e Durrësit ka arrestuar një 34-vjeçar me inicialet A. A., banues në Berat dhe një 35-vjeçar me inicialet A. B., banues në Elbasan pasi ishin drejtuesit e një autobusi ku u gjetën të fshehura shuma parash dhe mallrat që tentuan t’i kontrabandonin në Shqipëri.
Si rrjedhojë u sekuestruan 176 190 euro, 500 dollarë, 50 euro të falsifikuara, një pako me fishekë çifteje dhe një sasi mallrash.
Autobusin vinte me tragetin e linjës Bari-Durrës. Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm, të cilët kanë ndihmuar ose favorizuar, drejtuesit e këtij autobusi dhe të autobusëve të tjerë të kësaj shoqërie, gjatë hyrjeve ose daljeve nga Porti i Durrësit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Trafikimi i armëve dhe municioneve”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimi doganore ose të akcizës” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, të kryera në bashkëpunim.