Sanksionet e shpallura nga BE-ja ndaj Serbisë për shkak të sulmeve të fundit terroriste në Banjskë në Kosovë nuk do ta mbushin mend Serbinë, thotë Vuk Drashkoviq, shkrimtar serb, diplomat dhe lider i Lëvizjes Serbe për Rindërtim (LSR).
“Nëse do të ndodhë, do të jetë shumë sipërfaqësore dhe simbolike, qeveria dhe regjimi as që do të shqetësohen”, thotë Drashkoviq.
Në vend të çdo sanksioni ekonomik dhe politik, Drashkoviq i sugjeron Evropës si vijon: “Të kërkosh përfundimisht që Serbia të përballet me të vërtetën dhe nuk mund të përballet me të vërtetën pa hapur dosjet sekrete të UDB-së, pa lustruar shërbimet e sigurisë, të cilat nuk e di më nëse janë serbe apo ruse, largimi nga ato shërbime i të gjithë atyre që kanë lidhje me vrasës, me mafiozë, me shërbimin rus mbi të gjitha dhe miratimi i një ligji të ngjashëm me ligjin e miratuar nga Gjermania kur hapi dosjet sekrete të Stasit dhe hapi derën për shërimin e popullit gjerman”.
Ai shpjegon se njerëzit në Serbi janë pengje të UDB-së dhe se ” kësaj hidre të tmerrshme që është në fakt në çdo pore të jetës në Serbi”.
Drashkoviq thekson se në Serbi ka shumë njerëz që janë pro luftës dhe se ata janë njerëz në rrjetet sociale, të dehur në rrugë, në sallonet e Akademisë së Shkencave, në mesin e shkrimtarëve, mes komentuesve të gazetave, analistëve, këngëtarëve, fyelltarë, mitomanë…
“Dhe të gjithë ata mbrojtës të vdekjes dhe luftës janë gjithashtu avokatë të një lufte në të cilën dikush tjetër duhet të vdesë”.
Ai paralajmëron se jemi në një situatë ku ndoshta rrezik edhe më i madh është harrimi i fuqive në Perëndim për atë që është vendosur me Rezolutën 1244 dhe planin e Ahtisarit, që është baza e pavarësisë së Kosovës.
“Marrëveshja e Ohrit për zbatimin, Plani Franko-Gjerman dhe Marrëveshja e Brukselit nuk janë gjë tjetër veçse ecja nëpër korridoret e planit të Ahtisarit”.
Lidhur me rastin e Milan Radoiçiqit, Drashkoviq parashikon me sarkazëm se ai mund të gjykohet eventualisht për shkelje në trafik.
“Ai nuk do të gjykohet për gjënë thelbësore për të cilën duhet të gjykohet – pushtimi i territorit të një vendi tjetër me një formacion të armatosur, me një arsenal armësh për disa qindra njerëz – s’do të gjykohet për këtë”, thotë Drashkoviq dhe shton se dikush nuk mund të gjykohet dikush për një vepër penale, e cila nuk ekziston sipas Kodit Penal të Serbisë.
Ai thekson se në mesin e elitës politike serbe ka një garë se kush e do më shumë Putinin, përkatësisht kë e do më shume Putini. E kur është fjala për qëndrimin e Perëndimit ndaj Serbisë, Drashkoviq thekson se nuk është vetëm qëndrimi i tyre ndaj Serbisë, por ndaj asaj që po ndodh në Bosnje dhe Mal të Zi.
“Në përgjithësi, në rajonin e Ballkanit Perëndimor, mendoj se Perëndimi është duke ndjekur fjalë për fjalë politikën e Neville Chamberlain-it të viteve 1936/1937, atë politikë qetësimi, d.m.th. bëni gjithçka, jepni përparësi paqes.