Ish presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka publikuar një shkrim për ish presidentin e Finlandës, Martti Ahtisaari, që ndërroi jetë të hënën e 16 tetorit.
“Me dhembje të madhe mora lajmin për vdekjen e presidentit Martti Ahtisaari. Lajmi për vdekjen, është rast i veçuar i kujtimit dhe falënderimit përjetësisht për presidentin Ahtisaari, me të cilën punuam bashkë në procesin e bisedimeve në Vjenë.”
Ai ka përmendur bisedimet në Vjenë.
“Kam shumë kujtime nga takimet me presidentin Ahtisaari, Emisarin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, diplomatin, që luajti rol kyç në procesin e bisedimeve në Vjenë. Këto bisedime hapën rrugën për shpalljen e Pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës, më 17 shkurt 2008. Janë të paharrueshme bisedimet e Vjenës 2006-2007 dhe veçmas takimet me Emisarin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, laureatin e shumë shpërblimeve dhe të dekoratave në mesin e të cilave edhe të Çmimit Nobel për Paqe, Presidentin e Finlandës Martti Ahtisaari.”
Ai ka thënë se ka pasur njohuri edhe më parë për aftësitë e Ahtisaarit prej burrështetasi të mençur dhe diplomati të kalibrit të rrallë.
Sejdiu ka shkruar se ka qenë i veçantë angazhimi lidhur me Kosovën në takimet me Millosheviqin.
“I veçantë ka qenë edhe angazhimi lidhur me Kosovën në takimet me Millosheviqin. I qartë, i prerë dhe pa dilemë, sikur edhe misionarët amerikanë Ollbrajt, Hollbruck dhe Komandanti i NATO-së Ëesley K. Clark. Millosheviqit i kishte treguar se ai duhet të heqë dorë nga dhuna dhe terrori në Kosovë, në të kundërtën do të bartë pasoja të rënda ai dhe vendi i tij.”
“Në përgatitje të rifillimit të bisedimeve, Martti Ahtisaari, bashkë me anëtarë të ekipit të tij, për pak ditë erdhi në Prishtinë. Saktësisht me 1 mars 2006. Biseda qe jashtëzakonisht përmbajtësore dhe e pa rezerva. Kryetema, bisedimet. Presidenti Ahtisaari në disa pika themelore e shtroi idenë e tij lidhur me to si dhe dinamikën që ai e mendonte për të përmbyllur procesin e bisedimeve në afat optimal. E dija se i njihte zhvillimet në Kosovë e sidomos ato që i kishim përjetuar deri me intervenimin ndërkombëtar.”
Ai përmendi edhe miratimin e Dokumentit për Martti Ahtisaarin, ku shpreheshin “Qëndrimet e Delegacionit të Kosovës të mbështetura në Rezolutën e Kuvendit të Kosovës për Rikonfirmimin e Vullnetit Politik të Popullit të Kosovës shtet të pavarur dhe Sovran”.
“Dua të përmendi se që në nëntor të vitit 2005 Delegacioni i Kosovës kishte miratuar Dokumentin për Martti Ahtisaarin, Emisarin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Statusin final të Kosovës. Në atë Dokument, që në fillim shprehen “Qëndrimet e Delegacionit të Kosovës të mbështetura në Rezolutën e Kuvendit të Kosovës për Rikonfirmimin e Vullnetit Politik të Popullit të Kosovës shtet të pavarur dhe Sovran, miratuar më 17 Nëntor 2005.”
Sejdiu thotë se Ahtisaari, që në takimin e parë, përcolli me shumë vëmendje mendimet e tij.
“Përveç bisedës për temën bosht, pra bisedimet lidhur me statusin politik të Kosovës, për të cilën pa fije dyshimi e besoja se është thellësisht dhe shumë sinqerisht i angazhuar, presidenti Ahtisaari m’u drejtua hapur, përafërsisht më këto fjalë: “ Z. President, unë e kam pranuar këtë angazhim nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së me përkushtimin më të madh, andaj edhe nuk kam kohë për të humbur. Qëllimi im është që të përfundojmë këtë proces si duhet”. Me fjalë të tjera, mesazhi i tij ishte që të shpejtohet procesi i bisedimeve, për çka realisht edhe ne ishim të interesuar.”
Pas përfundimit të këtij takimi, Sejdiu thotë se e ka përcjellur deri në dalje të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
“Ai mu drejtua: “Jam i bindur se edhe ju do t’ia dilni…”. Ishte kjo një mbështetje e madhe për popullin dhe vendin që kish hyrë dhe po bënte hapat final për pavarësinë.”
Ai u ka shprehur ngushëllime familjes, popullit finlandez, miqve por edhe Kosovës.