Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Ministri turk i Mbrojtjes: Dialogu është rruga e vetme për paqe e stabilitet në rajon

Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Yasar Guler ka thënë të martën në Prishtinë se dialogu është rruga e vetme për paqe dhe stabilitet në rajon.

Guler në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, theksoi se raportet e Turqisë me Kosovën si partner në Ballkan do të vazhdojnë në të gjitha fushat.

Ai tha se në takim me Maqedoncin ritheksuan faktin se detyrën e komandantit të KFOR-it nga komandanti turk është marrë përsipër dhe do ta realizojnë me neutralitet dhe transparencë të plotë.

Guler: Detyra e komandantit të KFORI-it do të realizohet me transparencë të plotë

“E theksuam faktin se duke nisur nga Kosova, paqja lumturia dhe siguria në Ballkan për ne është çështje që ka peshë të madhe… Ne themi se dialogu është rruga e vetme e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në këtë rajon dhe ritheksuam faktin se detyrën e komandantit të KFOR-it, e kemi marrë përsipër dhe do ta realizojmë me neutralitet dhe transparencë të plotë”, tha Guler.

Ai shtoi se Turqia përkrah sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

Guler: Ne e përkrahim sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës

Raportet tona me Kosovën si bashkëpunëtorë e jona në Ballkan në të gjitha fushat vazhdojnë me shpejtësi dhe stabilitet të ndërtuar sipër raporteve të kamotshme historike e kulturore. Ne e përkrahim sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës, unifikimin me institucionet euroatlantike dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare”, theksoi ai.

Ministri i Mbrojtjes të Kosovës Ejup Maqedonci në këtë takim ka kërkuar mbështetje për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në partneritetin e programit për paqe, dhe ka theksuar rëndësinë e anëtarësimit në NATO që garanton stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Maqedonci: Kam kërkuar nga ministri Guler mbështetje për anëtarësimin e Kosovës NATO

Republika e Turqisë ka qenë, dhe do të mbetet partner strategjik për Republikën e Kosovës, bashkëpunimi mes vendeve tona, është ndërtuar një shtyllë mbi shtyllat e forta të parimeve dhe besimit reciprok, prandaj si i tillë ai do të vazhdojë të thellohet, dhe patjetër që do të jetë i qëndrueshëm me forcë… Në këtë aspekt kam kërkuar nga ministri Guler mbështetje për anëtarësimin e Republikë së Kosovës në partneritetin e programit për paqe, dhe kam theksuar rëndësinë e anëtarësimit tonë në NATO si rrugë që garanton stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, shtoi Maqedonci.

Gjithashtu Maqedonci shtoi se është dëshmuar që Ministria e Mbrojtjes është e vendosur fuqishëm në shërbim të paqes, në funksion të shërbimit ndaj paqes, do të jetë dhe ndërtimi dhe forcimi i ushtrisë të Kosovës .

Ministri i Mbrojtjes, Guler do të pritet gjatë ditës në takim edhe nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmanin.