Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar pas deklaratës së presidentit francez, Emmanuel Macron, në Tiranë rreth çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën, e cila duket se u përkthye gabimisht nga Zyra e Kryeministrit të Shqipërisë se “Franca ka pezulluar” vizat për Kosovën.
Ministria thotë se institucionet e Republikës së Kosovës deri më tani nuk kanë pranuar asnjë vendim tjetër zyrtar për çështjen e liberalizimit të vizave.
Madje, Ministria e udhëhequr nga Donika Gërvalla thotë se “duket edhe të jetë interpretuar gabimisht”.
Më pas Ministria ka treguar mbi procedurat se si do të mund të kthehej vendimi për liberalizim të vizave.
“Vendimet për miratim, pezullim apo shtyrje të liberalizimit të vizave merren në nivel të Bashkimit Evropian, e jo të shteteve anëtare. Procedurat e tilla i kanë afatet e caktuara kohore dhe vendimet merren me shumicën e paraparë të votave. Nuk kemi asnjë informacion që një procedurë e tillë të jetë kërkuar apo nisur lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”.
Në annën tjetër, nga Zyra e Presidentit të Francës, janë sqaruar lidhur me këtë çështje përmes një deklarate për mediat shqiptare.
“Presidenti ka folur për tensionet mes Serbisë dhe Kosovës. Ai tha se cilat ishin kërkesat tona. Në këtë kontekst dhe duke marrë parasysh bllokadën e Prishtinës, presidenti vlerësoi se çështja e liberalizimit të vizave mbetet e hapur”, tha Zyra e Presidentit të Francës në një përgjigje për mediumin ABC News.
“Për më tepër, është një proces teknik dhe një diskutim që duhet bërë me partnerët tanë evropianë”, thuhet në përgjigjen e kabinetit të Macron.